Dan Hutra u fut i qetë në kafazin e qelqtë të Gjykatës së Tiranës për të dëgjuar akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave në datën 1 Mars.
Ai u mbyll në qeli pa afat nga gjyqtarja Vjollca Spahiu, të cilës i komunikoi në nisje të seancës se nuk donte avokat. Megjithatë për shkak të detyrimeve ligjore, iu caktua një mbrojtës kryesisht.
“41-vjeçari Dan Hutra nuk shprehu pendesë për asnjë nga vrasjet që kreu në 1 Mars, duke u justifikuar se kishte motive për të gjitha”, raportoi gazetarja Bleona Metushi.
“Unë i pranoj të gjitha. Kisha menduar gjithçka dhe pasi dola nga burgu u përgatita. Nuk jam penduar për asnjë nga krimet pasi për të gjitha ato kisha motive e mia. Jam dakord me masën e sigurisë dhe nuk më intereson edhe nëse do marrë 5 burgime të përjetshme. Unë u dënova pa faj për dhunë në familje. I kërkoj sistemit të drejtësisë të mbajë qëndrim dhe të mos deklarojë njerëzit të fajshëm kur ata janë të pafajshëm, që të mos vijmë në masakra të tilla”, tha Hutra.
Në dokumentet hetimore që Tv Klan disponon, zbulohet se si plani i Dan Hutrës ishte organizuar prej ditësh. Siç vetë ai rrëfen armën e zjarrit e kishte marrë në Kukës ku e kishte fshehur kohë më parë.
Motivi për vrasjet e kryera në familjen Hysa ishin dyshimet për atësinë e fëmijës së Elenës dhe i gjithë konflikti me ta që çoi në arrestimin e tij në 2022 dhe dënimin për dhunë në familje.
Shtetasen Marjana Gurakuqi thotë se donte ta therte me thikë pasi e kishte prerë në besë dhe i kishte kërkuar Vladimir Kurtit në burg që ta helmonte. Pikërisht për këto përpjekje të dyshuara prej tij për vrasje, u bënë motiv për vrasjen e motrës së Vladimirit, Etleva Kurti.
Ndaj Dan Hutrës rëndojnë disa akuza, ajo e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare në 4 raste dy prej të cilave në tentative dhe vrasje me paramendim në 2 raste, një prej të cilave në tentativë, si dhe armëmbajtje pa leje.