Gjykata e Apelit është tërhequr për të marrë vendimin në lidhje me vulën e Partisë Demokratike, nëse do të qëndrojë në duart e Enkelejd Alibeajt apo do t’i kalojë kryedemokratit Sali Berisha.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se përfaqësuesi ligjor i grupimit të Sali Berishës Ivi Kaso, ka kërkuar mospranimin e ankimimit.
“Mospranimin e ankimit për shkak se Enkelejd Alibeaj nuk legjitimohet, ose të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Indrit Sefa përfaqësues i grupimit të Alibeajt, ka kërkuar pushimin e çështjes dhe prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.
“Kërkojmë pushimin e çështjes ose prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Ose ne alternative prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim”, ka deklaruar ai.
“Gjykata do vendosë se kujt do i përkasë drejtimi i PD. Kaso i cili përfaqëson Berishën në përfundim i kërkoi gjykatës të mos pranonte ankimin e Alibeajt përderisa ai nuk legjitimohet për të bërë këtë ankim, ose në alternativë të pushohet gjykimi. Ndërsa Sefa kërkoi prishje ne vendimit dhe rikthimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e shkallës së parë.
Përfaqësuesit e Alibeajt kërkojnë që çështja të pushohet me arsyetimin se Komisioni i
Rithemelimit nuk është ngritur në bazë të statutit të PD-së, ndërsa ata kërkojnë mos pranimin e ankimit të Alibeajt. Gjithë konflikti ka nisur pas vendimit të Gjykatës së shkallës së parë që vendosi për Kuvendin që shkarkoi nga detyra Lulzim Bashën. Gjithçka do varet nga vendimi i trupës gjykuese që është tërhequr në dhomën e këshillimit dhe nuk ka dhënë një orar se kur do dalë me vendimin e vetë.
Duhet që të shpallet ky vendim se kush do marrë kryesimin e Partisë Demokratike. Pa paragjykuar vendimin e gjykatës, nëse vendoset për Alibeajn ai do regjistrohet në KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje, ndërsa anasjelltas do jetë Berisha që do marrë drejtimin dhe do regjistrohet në KQZ.
Ka pasur raste kur Apeli është tërhequr për një vendim dhe ka kërkuar më shumë kohë për vendimin përfundimtar. Përfaqësuesit ligjorë të Komisionit të Rithemelimit kanë kërkuar dhe kanë menduar se do ishte e udhës që Alibeaj të tërhiqet nga çështja dhe të jetë sërish pjesë e opozitës duke vazhduar punën.
Nëse gjykata nuk shpall vendim deri në 6 mars të drejtën për tu regjistruar në zgjedhjet e 14 majit e ka për momentin Enkelejd Alibeaj edhe pse nuk pranohet nga palët. Më pas duhet që Berisha të gjejë një zgjidhje tjetër për të qenë pjesë e zgjedhjeve të 14 majit”, ka raportuar gazetarja Lala.
Kujtojmë se seanca në Apel nisi në orën 11:00, dhe trupa gjyqësore shqyrtoi ankimimin e Alibeajt, i cili kërkoi rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim. Ndërkohë në këtë gjykatë janë shtuar masat e sigurisë.
Grupi i Alibeajt përfaqësohet në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga kryetarit të PD-së Berisha, është Ivi Kaso, i cili shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
GJYQI
Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i Berishës, Kaso ka kërkuar që të Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet.
“Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, ndërsa shtoi se gjykata duhet të shqyrtojë të gjitha elementet. Mes të tjerash ai argumentoi se ‘Rithemelimi s’lëshon dot autorizim’.
“Ky nuk është momenti procedural ku ngrihet ky lloj pretendimi. Ne mendojmë se kjo gjykatë duhet t’i shqyrtojë gjithë elementet. Ne kemi bërë edhe shtesat e ankimit tonë. Komisioni i Rithemelimit nuk ka personalitet juridik dhe nuk mund të lëshojë autorizim, që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit?”, pyeti Sefa trupën gjykuese.
Ivi Kaso: Enkelejd Alibeaj nuk është konfirmuar asnjëherë në detyrë. Nuk ka pasur votëbesim nga Këshilli Kombëtar. Alibeaj është komanduar në detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm, edhe ky i shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021. i vetmi organ për drejtimin e PD-së është Komisioni i Rithemelimit. Ankimimi është firmosur nga një person që nuk gëzon asnjë tagër.
Indrit Sefa: Lulzim Basha bëri kërkesë në Gjykate dhe tha jam pale e interesuar. Dhe në atë moment gjyqtari Agron Zhukri duhet t’a pushonte çështjen
Gjyqtari: Mos citoni emra gjyqtarësh, por referojuni gjykatës.
Gazetarja Lala në një lidhje live për News24, parashtroi të gjitha mundësitë që mund të ndodhin në këtë proces gjyqësor, që kryesohet nga Elona Mihali dhe anëtarë janë Irdia Kacerja dhe Astrit Kalaja. Lala tha se nuk përjashtohen mundësitë që çështja të kthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe nëse ndodh ky skenar, rrezikon që PD e Berishës mos të regjistrohet në zgjedhje.
Kujtojmë se sot opozita, ka thirrur një protestë kombëtare, e cila do të mbahet para Kryeministrisë. Protesta në fjalë do të nisë në orën 12:00, ndërkohë që Berisha tha se tubimi nuk kishte lidhje me vendimin që do të jepte gjykata për vulën