Një ditë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij për një tjetër mandat, kryebashkiaku Gledian Llatja thekson se kjo mbështetje është nxitje e madhe në projektin për transformimin e Elbasanit. “Duke ju uruar një të dielë sa më të qetë e të mbarë, më lejoni të ndaj me ju se e konsideroj privilegj dhe vlerësim vendimin e Kryesisë së Partisë Socialiste, që më dha mbrëmë zyrtarisht besimin për të garuar për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Elbasanit. Ky besim është padiskutim një nxitje e madhe për mua dhe skuadrën e përbashkët, në projektin për transformimin e mëtejshëm të qytetit, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kryeministrit Rama”, deklaron Llatja në një postim në rrjete sociale.

Ai thekson se në këto katër vite të mandatit që po mbyllet, janë bërë shumë punë për të ndryshuar Elbasanin.
“Rikandidimin e shoh si angazhim jo vetëm për të rinovuar kontratën time me 38479 votuesit e katër viteve më parë, por edhe si garanci për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, për edhe më shumë punë të mira për qytetin.

Rikandidimin e shoh si një mundësi për t’iu shërbyer më tej edhe atyre që nuk më kanë votuar më parë, por nga kontakti i vazhdueshëm me ta në këto vite, kanë kuptuar se e duam dhe punojmë njësoj çdo ditë “me mish e shpirt” për qytetin tonë.
Rikandidimin e shoh si një shans për të vazhduar sfidën tonë, për të bërë çdo të ri apo të re, të shohë dhe projektojë të ardhmen e vet me dinjitet në Elbasan”, nënvizon Llatja.
Kryebashkiaku Llatja garanton se Partia Socialiste dhe ai si kandidat i saj, do të angazhohet në këtë fushatë për një betejë qytetare alternativash politike, larg tensioneve, konflikteve shterpë, baltës dhe gjuhës fyese.

“Duke respektuar çdo kundërshtar timin në këtë betejë, do t’iu shtrija dorën e bashkëpunimit për të bërë maksimumin të gjithë, për një fushatë që shkon në një nivel me vlerat, traditat, kulturën dhe qytetarinë e Elbasanit!

14 Maji është dita kur ne do të nënshkruajmë kontratën e re të angazhimit. Jam i bindur se do të jemi më të shumtë në numër, më të bashkuar dhe më të gatshëm, për të vazhduar punët e mira për Elbasanin!”shprehet Llatja.

Postimi i plotë.

Të dashur miq,

Duke ju uruar një të dielë sa më të qetë e të mbarë, më lejoni të ndaj me ju se e konsideroj privilegj dhe vlerësim vendimin e Kryesisë së Partisë Socialiste, që më dha mbrëmë zyrtarisht besimin për të garuar për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Elbasanit. Ky besim është padiskutim një nxitje e madhe për mua dhe skuadrën e përbashkët, në projektin për transformimin e mëtejshëm të qytetit, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kryeministrit Rama.

Në këto katër vite të mandatit që po mbyllet, kemi bërë jo pak për të ndryshuar Elbasanin. Mbi gjithçka, besoj fort se jemi angazhuar maksimalisht për t’i shërbyer e trajtuar me dinjitet çdo qytetar të Elbasanit, pavarësisht nëse ka votuar apo jo për mua dhe Partinë Socialiste, katër vite më parë.

Rikandidimin e shoh si angazhim jo vetëm për të rinovuar kontratën time me 38479 votuesit e katër viteve më parë, por edhe si garanci për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre, për edhe më shumë punë të mira për qytetin.

Rikandidimin e shoh si një mundësi për t’iu shërbyer më tej edhe atyre që nuk më kanë votuar më parë, por nga kontakti i vazhdueshëm me ta në këto vite, kanë kuptuar se e duam dhe punojmë njësoj çdo ditë “me mish e shpirt” për qytetin tonë.

Rikandidimin e shoh si një shans për të vazhduar sfidën tonë, për të bërë çdo të ri apo të re, të shohë dhe projektojë të ardhmen e vet me dinjitet në Elbasan.

Përtej sfidave me pasoja në nivel kombëtar si: tërmeti, pandemia COVID-19 apo inflacioni i luftës, kemi dëshmuar me vepra, se bazohemi në një model qeverisjeje nga njerëzit dhe për njerëzit.

Është rasti të shpreh një falenderim maksimal për bashkëpunëtorët e mi në ekipin drejtues të Partisë Socialiste në Elbasan: drejtuesin politik Damianin, drejtuesin e mëparshëm Taulantin, deputetët Evisin, Klevin, Dasantilën, Lencin e Luanin; bashkëkryetarët Mirën dhe Arditin.

Mirënjohje pafund për Qazimin, i cili me përvojën dhe pjekurinë e tij të gjatë politike dhe administrative, ishte këshilluesi i duhur në vitet e mia të para në krye të punëve të qytetit. Së fundi, por jo për nga rëndësia, një vlerësim për skuadrën fantastike të këshilltarëve bashkiak, të cilët ishin pjesë e suksesit dhe rrugës sonë për të çuar përpara punët e mira.

Sot nuk është dita për të bërë bilancin. Do të kemi kohë në ditët e javët e ardhshme, të diskutojmë sëbashku, në çdo lagje e në çdo fshat, për çka kemi bërë. Do ndalemi sigurisht edhe tek ato çka katër vitet e ardhshme mund ti bëjmë sëbashku edhe më mirë, duke korrigjuar edhe të meta e gabime tonat. Kemi tanimë gati programin qeverisës të katër viteve të ardhshme, përmes të cilit do të ndërtojmë Elbasanin 2030, me objektiva dhe skuadër të rinovuar.

Teksa pak ditë na ndajnë nga fushata zyrtare elektorale, garantoj se Partia Socialiste dhe unë si kandidat i saj, do të angazhohemi për një betejë qytetare alternativash politike, larg tensioneve, konflikteve shterpë, baltës dhe gjuhës fyese.

Duke respektuar çdo kundërshtar timin në këtë betejë, do t’iu shtrija dorën e bashkëpunimit për të bërë maksimumin të gjithë, për një fushatë që shkon në një nivel me vlerat, traditat, kulturën dhe qytetarinë e Elbasanit!

14 Maji është dita kur ne do të nënshkruajmë kontratën e re të angazhimit. Jam i bindur se do të jemi më të shumtë në numër, më të bashkuar dhe më të gatshëm, për të vazhduar punët e mira për Elbasanin!

#TëBashkuarJoTëNdarë
Me PS🌹 #ElbasaniNukNdalet🚀