Nga Armand Bajrami/
Këto janë momentet pas të cilave gjithë bota ktheu sytë nga Turqia. Ishte ora04:17 minuta kur qytetarët në Turqi dhe Siri u zgjuan nga lëkundjet e forta të tokës. Tërmeti me magnitutë 7.8 Rihter la pas mbi 50 mijë viktima, qindra mijëra të tjerë të plagosur, godina të shembura, jetë të shkatërruara.
Pabesia e tërmetit i gjeti në gjumë. Dikush ashtu mbeti përgjithmonë, të tjerë shpresonin nën rrënoja. Ishte luftë me kohën. Lëkundjet e tokës nuk u ndalën në orët vijuese, por as në ditët në vijim. Numri i viktimave rritej frikshëm. Lot dhimbje për çdo jetë të humbur e lot gëzimi e shprese për çdo të shpëtuar që nxirrej nga rrënojat. Autoritetet e vendeve në tragjedi u mobilizuan që në momentet e para, por përmasat apokaliptike të tërmetit nuk mund të përballoheshin vetëm. Nga e gjithë bota u nisën ekipe të kërkim-shpëtimit. Një skuadër prej 85 forcash u nis dhe nga Shqipëria. Mes kaosit, grupet e vullnetarëve dhe të emergjencave civile u shpërndanë në zonat më të prekura, por nga rrënojat shumica e trupave nxirreshin pa jetë. Ekipi ynë, i përbërë nga personel mjekësor dhe trupa të kërkim-shpëtimit, luftoi për 14 ditë në përpjekje për të shpëtuar jetë. 26 fatkeqësisht ishin të vdekur, por 6 jetë u shpëtuan. Katër prej heronjve të tërmetit rrëfejnë për A2 CNN eksperiencën e dhimbshme, emocionet, frikën, përjetimet e të mbijetuarve dhe të familjarëve të tyre.
“Urdhri zbatohet nuk diskutohet”. Me këtë postulat 4 efektivët e Forcave të Armatosura tregojnë se janë gati në çdo kohë për misione kërkim-shpëtimi. Shumica prej tyre janë të shkolluar në Turqinë vitet e fundit. Misionin e tyre e panë jo vetëm si ndjenjë detyre, por edhe si kthim në borxhi ndaj popullit turk. “Fakti që unë jam komandanti i parë të kompanisë së kërkim shpëtimit, për situata të tilla jemi gjithmonë vigjilent dhe do të kërkohet asistenca jonë”, thotë Cengu. “Doja dhe vetë të shkoja të ndihmoja popullin turk”, thotë Zenelaj. “Unë isha gati në çdo lloj mënyre, mund të ishte dhe kërkesa ime. Turqia është një vend aleat”, thotë Merlika. Por kishte dhe nga ata që urdhri i kapi të papërgatitur. “Nuk e dija që Shqipëria do bashkohej në operacion…”.
Edhe pse ishin informuar për situatën në Turqi, sërish mbërritja e tyre në zonat e prekura nga tërmeti i tronditi. Fjalët për atë që panë në Turqi nuk mjaftojnë, pasi çdo krahasim do të ishte i gabuar. “Atë lloj situatë nuk mund të ta krahasosh me asgjë, dukej si një zonë e bombarduar”, kujton Merlika. “Ishte e vështirë, pasi ishte gjithçka e shkatërruar, një fatkeqësi e madhe, një numër i madh viktimash”, thotë Banaj. “Malatja ishte një qytet fantazmë, ku në tre-katër godina, dy ishin të shembura. Numri i viktimave nuk ishte shumë i madh, pasi janë disa qytete që janë pothuajse ndërtesat të rrënuara. Qytet fantazmë, nuk banonte njeri por vetëm njerëz që qëndronin afër rrënojave”, thotë Cengu. Autoritetet turke organizonin punën, duke shpërndarë grupet e shpëtimit. Por rrugës për të shkuar në destinacionin e caktuar, një prej ekipeve shqiptare shpëtoi mrekullisht jetën e një vogëlusheje. “Ne po udhëtonim me autobus dhe në Malatja pamë njerëzit që ishin grumbulluar rreth tre rrënojave. Kam ndaluar autobusin dhe jemi ndarë dhe kemi nisur punën. Situata ishte shumë katastrofike, por na u dha leja për atë operacion. Rezultati ishte nxjerrja e një fëmijë të gjallë dhe tretë pajetë. Më pas kemi shkuar në vendet e tjera”, tregon Cengu.
“Sapo kemi arritur, kemi shpëtuar një jetë një vajzë të vogël. Për çdo jetë që mund të shpëtosh, qoftë edhe një kafshë është ndjesia më e bukur në botë. Ishte një fëmijë një engjëll, ishte i papërshkrueshëm ai emocion”, kujton Merlika. Trupat shqiptare u pozicionuan në Malatja, një ndër zonat më të prekura. Dy javë luftë për të shpëtuar jetë. “Një prej tyre mundi të fliste, nuk na njohu, por na falënderoi”, thotë Banaj. Por në shumicën e rasteve të nxirrje të gjallë nga rrënojat ishte pamundur. E përsëri familjarët e viktimave ishin falënderues ndaj punës së tyre. “Gjatë gjithë kohës ishin me shpresë se familjarët e tyre do të dilnit të gjallë… Gjatë gjithë kohës na jepnin zemër na falënderonin dhe ishin të gatshëm që të na ndihmonin në çdo kohë”, thotë Banaj. “Populli turk që në momentin që kemi mbërritur kanë qenë goxha mikpritës dhe gjendeshin në çdo moment”, tregon Zenelaj. “Pothuajse në të gjitha, edhe pse kemi nxjerr trupa të pajetë, familjarët kanë kërkuar që t’i puthin duart efektivëve të kërkim-shpëtimit. “Një mirënjohje shumë të madhe kanë treguar, ky është një gjest shumë mirënjohës. Na përqafonin”, tregon Cengu.
Për çdo jetë të shpëtuar kishte duartrokitje dhe brohoritma, e më pas pllakoste qetësia. “Kishte momente që mendonin se kishte zëra që flisnin nga rrënojat dhe aty ishte qetësi absolute për të kuptuar nëse kishte jetë apo jo”, thotë Zenelaj. Me kalimin e ditëve, shpresat për të mbijetuar veniteshin, por jo të familjarëve të viktimave. “Kishte persona që rrinin ditë dhe natë përpara rrënojave dhe prisnin me padurim që të nxirrnin trupat e familjarëve tyre. Ishte një baba që priste tre fëmijët e tij që t’i nxirrte nga rrënojat. Fatkeqësisht nuk dolën të gjallë. Ishte dhe një djalë që rrinte gjithë kohës duke pritur që të dilte mamaja dhe babai”, thotë Zenelaj. Dashuri mbi rrënoja, dashuri poshtë tyre… fryma kishte ndalur tek kjo e fundit. “Kemi gjetur babain dhe të birin, që të dy ishin të vdekur dhe të përqafuar me njëri-tjetrin dhe familjarët përjetuan një krizë emocionale shumë të fortë”.
Pas 14 ditëve kërkim ditë-natë, grupet e huaja ndërprenë punën, me gjithë dëshirën për të qëndruar më gjatë me shpresën se ende mund të shpëtonin jetë. “Nëse do ishte e nevojshme, absolutisht që do qëndronim më shumë do jepnim ndihmën tonë”, thotë Banaj. “Shpëtimi i jetës është ndjesia më e bukur”, tregon Merlika. “Kjo është detyra jonë edhe kjo detyrë përfundoi aq por deri sa të dalë personi i fundit ne do vazhdonim punën. Ne jemi repart emergjencash, në çdo moment me t’u dhënë detyra ne jemi të gatshëm për t’u nisur, nuk marrin parasysh distancën”, tregon Cengu. Frika është i vetmi emocion që gjatë operacionit nuk mendohet edhe pse në çdo çast rreziku për jetën është shumë i madh. “Frikën e ndjen, por me shpresën që do shpëtosh njerëz të gjallë e tejkalon atë frikë”, thotë Banaj. “Normalisht ishte frika e tërmetit, ishim vetë aty kur kishte lëkundje të tjera. Frika ishte e madhe dhe për veten tonë, por ne donim që të vazhdonim. Por një pjesë e madhe rrinim në çadër”, tregon Zenelaj. “Nuk kishim frikë, skuadrat e kërkim shpëtimit kanë përparuar kanë krijuar një standard, një identitet. Janë rritur shumë profesionalisht, frika nuk ekziston. Kjo është detyra. Jam i gatshëm dhe pse rriskon”, thotë Cengu. Dhe si tani në Turqi, apo në 2019 në Shqipëri, natyra nuk na paralajmëron, na gjen të papërgatitur. Për ata, shpëtimi i jetëve është thirrja që i mban në gatishmëri, me shpirt, përgjegjësinë e detyrës, mjetet dhe pajisjet e domosdoshme.(A2)