Duke përkujtuar Luftën e Gjormit, të atij brezi që derdhi gjakun në altarin e atdheut, ne ndiejmë sot krenarinë e fitores antifashiste, por edhe dhimbjen e plagëve të diktaturës, turpin e tradhtisë dhe tragjedinë e vëllavrasjes. Duke u kthyer pas në kohë e duke nxjerrë mësime nga e kaluara, çdo komb, e përdor kujtesën historike për të ecur më mire përpara. Kështu duhet të bëjmë edhe ne në shërbim të së ardhmes, në shërbim të përparimit kombëtar, të demokracisë e të paqes sociale.
Nga Ibrahim Vasjari
Lufta në Gjorm dhe Gjormi në luftë, në të dy rastet gjormiotët i treguan vendit dhe historisë shqiptare se ishin më të mençur se demagogjia dhe më patriotë se vëllavrasja. Në gjithë historinë e luftës kundër pushtuesve nazifashistë, zor se gjen fshat si Gjormi ku, lufta të ketë shfaqur aq qartë karakterin dhe tiparet e saj të plota, ku lufta të ketë hequr vallen e saj të egër, nën tam-tamet e lashta e ritmet e reja, me një harmonizim pikëllues të eposit tradicional, me tragjedinë bashkëkohore shqiptare.
Parë nga ky këndvështrim, Gjormi është ngritur në simbol.
Po si u lidh Gjormi me Luftën? Ç’tregon për këtë tradita, ç’thonë varret, këngët? Gjormi, ashtu si gjithë Shqipëria, kishte një “kontratë” të lashtë me Luftën. Asnjëherë nuk e kërkonte, përkundrazi ajo e gjente vetë. Lufta ishte e huaj, ndërsa Gjormi autokton. Ajo pllakoste gjithmonë si një murtajë e keqe, e pashpirt, e verbër në krime e mizori, ndërsa Gjormii, pa u ligështuar asnjëherë i dilte ballë për ballë burrërisht.
Gjormin nuk e kishin përgjunjur vrasjet, nuk e kishte lëshuar zemra as kur priste mandatat e djemve, por qëndronte në këmbë, bënte dyfek e shpërthente flakë kundër së keqes, gjithnjë këtu në truallin e vet, i mbërthyer në brinjët e malit, me shtëpi, oborre e rrugë të gurta, me lumin nën këmbë e me kullota e stane mbi krye. Lufta vinte nga larg, ndërsa Gjormi e priste zakonisht aty afër urës, i patundur e këmbëngulës në mbijetesën e vet shekullore.
Që nga shpellat pellazgjike e deri tek shtëpitë e reja rrëzë malit, ato pak hapa në mijëra vjet i kish hedhur në tokën e vet, në malin e kullotat e veta. Lufta punonte çelikun e barotin, ndërsa Gjormi kulloste kopetë në male, punonte qumështin, tirrte leshin në drugë e rrihte shajakun në dërstila.
Kur doli nga deti “Italia e dytë”, siç i thoshin në këto anë, Gjormi u vu përsëri përballë Luftës. Lufta ishte si gjithë të tjerat, edhe Gjormi ishte po ai që kishte qenë: kishte meremetuar shtëpitë, kishte shkolluar djemtë e ishte rinuar. Ashtu si gjithë Vlora e Labëria, Gjormi u ngrit në luftë kundër okupatorëve. Por si do të zhvillohej kjo luftë?
Për këtë kishte një traditë. Veçanërisht në Vlorë ishte ende e freskët kujtesa e Luftës së ‘20-ës, ishte e gjallë fryma e saj, heroizmi, optimizmi, por mbi të gjitha bashkimi kombëtar, vëllazërimi, ky nen themelor i kodit shqiptar të luftës. Ardhja e “Italisë së dytë” ngacmoi keq sedrën kombëtare të vlonjatëve. U zgjua 1920-ta, u zgjuan kujtimet, këngët, u drithëruan varret. Dhe lufta nisi.
Le të japim një kronikë të hollësishme për Luftën e Gjormit dhe Gjormin në luftë: Janar 1942. në Gjorm bëhen mbledhjet e para ilegale pår organizimin e luftës. Marrin pjesë përfaqësues të rrymave të ndryshme politike. Në njësitin gueril të Vlorës bëjnë pjesë, gjormiotët: Qani Shenaj (“Xhazhanezi”) dhe Arap Shenaj.
Mars 1942: Dalin ilegalët e parë nga Gjormi: Sadik Premte (“Xhepi”), Neki Imeri (“Vangjo”) dhe Qani Shenaj (“Xhaxhanezi”). Në Gjorm formohet njësiti i pare luftarak, me Neki Imerin përgjegjës ushtarak, për krejt zonën e Mesaplikut. Në këtë njësit me 13 veta, 9 ishin nga Gjormi.
Prill 1942: Formohet çeta territoriale e fshatit Gjorm me 40 vetë, me komandant Lulo Lulaj (“Malësori”), pa asnjë paragjykim partiak. Shqiptarë të të gjitha bindjeve ishin bashkuar për të çliruar Shqipërinë.
4 Dhjetor 1942: Formohet në Gjorm “Çeta Plakë” me komandant Neki Imerin dhe 2, nga 3 komandantë skuadrash gjithsej, ishin djem gjormiotë: Qani Shenaj dhe Bako Tafili, ndërkohë që në këtë zone, vepronte dhe çeta nacionaliste ‘Shqiponja’ me komandant Hysni Lepenicën.
16 Dhjetor 1942: Aksioni në Izvor. Kërkohet nga Komanda Eprore e Karabinierisë, Ali Radhima, Neki Imeri dhe Shyqyri Alimerko.
26 dhjetor 1942: Aksioni në Radhimë.
30 dhjetor 1942: Forca të shumta italiane me kolonel Klementis në krye si dhe me mercenarë nga Dibra e Mati të komanduar nga Halil Alia dhe Selim Kaloshi djegin e plaçkisin Tragjasin.
31 Dhjetor 1942: Duke u nisur nga dy drejtime, nga mali i Tragjasit dhe nga rruga automobilistike Vlorë-Mesaplik, operacioni fashist italian i drejtohet Gjormit. Fillon lufta. Në mbrojtje të Gjormit e të gjithë krahinës së Mesaplikut, u bë mobilizim i përgjithshëm popullor. Në Gjorm, veprojnë “Çeta Plakë” me komandant Neki Imerin dhe çeta “Shqiponja” me komandant Hysni Lepenicën – betejë tashmë e njohur nga të gjithë.
1 Janar 1943: Natën, shtabi komunist me Hysni Kapon në krye, jep urdhër të tërhiqen forcat, sepse qëllimi ishte arritur. Dymbëdhjetë orë më vonë, e mbetur vetëm, tërhiqet edhe çeta ‘Shqiponja’ e Hysni Lepenicës. Forcat fashiste e mercenare, deri në atë kohë të mundura e të shpartalluara kthehen në Gjormin e braktisur e, të pambrojtur!
2 Janar 1943: Represion fashist në Gjorm. Grabiten dhe theren bagëti, digjet një shtëpi dhe arrestohen 28 fshatarë gjormiotë.
10 Janar 1943: Djemtë e Gjormit, përsëri në luftë. Aksioni i Llogorasë.
21 Shkurt 1943: Aksioni i Selenicës.
16 Mars 1943: Aksioni në Ujë të Ftohtë Vlorë, veprime të përbashkëta të çetave komuniste e nacionaliste. Nga Kuestura, kërkohen Neki Imeri (“Vangjua”), Kujtim Bektash Cakrani nga Ballshi dhe Qazim Çakërri nga Tragjasi. Aksionet vazhdojnë më tej në Sevaster, Patos, Mallakastër, kudo me veprime të përbashkëta, kudo djemtë e Gjormit në ballë të luftës.
Italia fashiste i kishte ditët të numëruara. Beogradi me emisarët e tij pranë udhëheqjes së PKSH-së, duke pare se në të dy kampet antifashiste ishte e zjarrtë fryma patriotike, intensifiko ndërhyrjen dhe nxit vëllavrasjen. Brenda luftës shqiptare, duhej vrarë shqiptarizmi. Mendoni se ç’mund t’i mbetej më kësaj lufte!
Kockë e fortë për serbët, ishin jo vetëm nacionalistët, por edhe fakti se në radhët e udhëheqjes dhe të luftëtarëve të çetave komuniste, shqiptarizmi ishte i zjarrtë. Filloi faza e intrigës, prapaskenës, kurthit, vrasjeve pas shpine dhe, më pas, realizimi i vëllavrasjes. Po për këtë duheshin zhdukur së pari elementët anti-jugosllavë e me prirje të theksuara shqiptariste në gjirin e Partisë Komuniste Shqiptare.
Synimi i kësaj strategjie të Beogradit, atëhere ende i padukshëm, i fshehur pas maskës ‘çlirimtare antifashiste’, vetëm 5 vjet më vonë, u bë i njohur botërisht, madje plani titist për gllabërimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë, u denoncua edhe nga vetë PKSH-ja, ndonëse “si kofini pas të vjeli” dhe pa asnjë refleksion për krimet e kryera gjatë vëllavrasjes.
4 Prill 1943: Ndërsa Kuestura Fashiste, kërkon Sadik Premten e Neki Imerin, “Vangjon” e famshëm të 24 aksioneve antifashiste, në të njëjtën kohë, PKSH-ja, me pjesëmarrjen direkte të Dushan Mugoshës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos dhe Liri Gegës, përgatit kurthin e eliminimit fizik të këtyre personave.
23 Prill 1943: “Çeta Plakë” e Vlorës kërkohet për ndihmë nga Mehmet Shehu në Mallakastër. Njëkohësisht, kërkohet me urgjencë në Tragjas, Sadik Premtja. Kurthi për eliminimin fizik të tyre, nuk shkoi tamam ashtu siç e kishte menduar udhëheqja e PKSH-së.
Sadik Premtja, u njoftua se do të binte në pritë dhe u kthye nga rruga, ndërsa Neki Imeri me shokë, u arrestua në Mallakastër. Në përpjekje për të shpëtuar u vra zv/komandanti i “Çetës Plakë”, Hydajet Micoli dhe komisari i çetës, Xhemil Çakërri, ndërsa shpëton dhe largohet i lidhur dhe i plagosur Neki Imeri.
“Çeta Plakë” shpërbëhet. Sadik Premte, Neki Imeri dhe gjithë djemtë e Gjormit, tashmë të kërcënuar nga komploti sllavo-komunist, merren nën mbrojtje nga Hysni Lepenica dhe nacionalistët. Ata u inkuadruan në radhët e “Ballit Kombëtar”, por përsëri nuk u tërhoqën nga Lufta Antifashiste.
28 Gusht 1943: Pas Mukja. Shtabi komunist me qendër në Ramicë, dërgon nga njësiti i sapoformuar “Hakmarrja”, Shyqyri Alimerkon e Sadik Zotajn, për të vrarë Sadik Premten e Neki Imerin. Prita ngrihet në fshehtësi të plotë midis Lepenicës dhe Gjormit. Aty vritet komandanti trim, Neki Imeri, por aty u vranë edhe atentatorët, Shyqyri Alimerko e Sadik Zotaj, nga djemtë e armatosur gjormiotë, të cilët kur dëgjuan krismat e pushkëve, dolën e rrethuan vendin, duke u prerë atentatorëve rrugën e kthimit për në Ramicë.
Neki Imeri dhe Shyqyri Alimerko kishin qenë bashkëluftëtarë, kishin bërë dikur kaq aksione kundër fashistëve, i kishte kërkuar me këmbëngulje Kuestura Fashiste, i kërkonte armiku, po nuk i vrau dot. Tragjedia kishte nisur. Shqipëria po bënte harakir. Kishte fituar Dushan Mugosha dhe strategjia sllavo-komuniste.
Shtator 1943: Lufta e Drashovicës kundër okupatorëve të rinj gjermanë. Djemtë e Gjormit përsëri në luftë kundër të huajve, por këtë herë pa komandantin e tyre Neki Imerin. Luftojnë kundër gjermanëve, kur kthehen për në fshat mbrohen nga pritat e komunistëve. E çuditshme ku e gjenin atë force, atë patriotizëm, atë pjekuri e tolerancë të rrallë?!
Po në shtator 1943, në Grehot të Gjirokastrës, bie heroikisht në luftë kundër fashistëve komandanti trim Hysni Lepenica dhe krejt çeta ‘Shqiponja’. Poeti popullor vajton në këto vargje:
“Ah, more Hysni Lepenica
Të ishje i gjallë sot,
Bashkë me Neki Imerin
Jugu do të ishte tok”.
Dhimbja ngrihet mbi Hysni Lepenicën dhe Neki Imerin. Ishte vrarë diçka më e madhe se ata, ishte vrarë bashkimi kombëtar, ishte mbjellë përçarja, kishin fituar institutet e huaja të shqiptarofobisë.
5 Nëntor 1943: Forca të shumta partizane të komanduara nga Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, sulmojnë Gjormin ku, përveç shqiptarëve, nuk ishte asnjë të huaj. Fillimisht merret Velça e Lepenica, me përpjekje të ashpra. Lufta në Gjorm, bëhet rrugë më rrugë e, shtëpi më shtëpi. Pas kësaj vjen represioni komunist.
U dogjën 60 shtëpi (Operacioni fashist kishte djegur vetëm 1 shtëpi), u plaçkit fshati, u llahtarisën gra e fëmijë. Në qendër të fshatit, mes flakëve dhe tymit të shtëpive të djegura, mes fëmijëve të lemerisur e grave në gjëmë, partizanët morën një valle:
“Djemtë e Gjormit ku vane?
Po leshverdhat kujt ia lanë”?
Ata që morën vallen, ishin të gjithë turpësisht shqiptarë, ndërsa “leshverdhat” dhe “shamizezat” e Gjormit ishin tragjikisht shqiptare. Atyre që morën vallen u mbeti përjetësisht turpi, ndërsa grave të Gjormit, përjetësisht nderi.
Dimri i egër 1943-4944
Gjormi pa ushqim, pa strehim, pa mbrojtje. Herë pas here vinin mandatat e djemve vrarë nga fashistët dhe komunistët. Brenda 20 ditëve, 7 të vrarë e 6 të plagosur.
Janar 1944: Forcat gjermane rreshtojnë për pushkatim në qendër të fshatit 15 vjeç e lart.
7 Shkurt 1944: Forcat partizane përsëri drejt Gjormit. Fshatarët: pleq, gra e fëmijë të lebetitur, braktisin fshatin dhe vendosen në kodrat rreth Vlorës, ku qëndrojnë 8 muaj. Gjithçka të kujton masakrën greke të vitit 1914 dhe shpërnguljen e Kurveleshit në Vlorë. Deri në vjeshtë, numri i djemve të vrarë arriti 23 (10 të vrarë nga fashistët dhe 13 nga komunizmi), prej të cilëve vetëm 5 vetëve u dihej varri.
Tetor-nëntor 1944: U çlirua Vlora dhe Shqipëria. Muhaxhirët tragjikë të Gjormit, pre e represionit të egër fashist dhe komunist, filluan të kthehen në fshat pjesë-pjesë e një nga një me llahtarinë e kujtimeve dhe makthin e së nesërmes. Vetëm 7 djem u larguan në mërgim. Pas kësaj për Gjormin, ashtu si për gjithë Shqipërinë, filloi kalvari i gjatë i diktaturës komuniste: burgjet, internimet, persekutimet.
Kronika është e gjatë, e qartë, elokuente. Po përse ndodhi kështu me Gjormin? Gjormi, ashtu si gjithë Shqipëria, kishte një kontratë të lashtë me Luftën. Lufta ishte e huaj, ndërsa Gjormi autokton. Ai, si rrallëkush e më herët se të tjerët në këtë trevë, e kuptoi se edhe komunizmi, ashtu si fashizmi ishte i huaj, pushtues i dhunshëm.
Tragjizmi i këtij konstatimi ishte se komunistët, ishin shqiptarë dhe Gjormi s’mund të shkrepte pushkë kundër vëllezërve. Ai asnjëherë nuk sulmoi shqiptarë, asnjëherë nuk ngriti prita e kurthe, përkundrazi u mbrojt, u martirizua, klithi me dëshpërim, me dhimbje kundër vëllavrasjes. Ishte vështirë atëhere të kuptoje se komunizmi ishte i huaj, por Gjormi me përvojë dhe intuitë vërejti se diçka esenciale ishte shkelur në kodin shqiptar të luftës.
Ishte harruar kumti i lashtë i besës dhe vëllazërimit në luftë kundër të huajve, ishin shkelur paturpësisht gjithë besëlidhjet shqiptare që nga Kuvendi i Lezhës e Lidhja e Prizrenit, deri te Peza e Mukja, ishte goditur baza morale e të gjitha luftërave tona, ishte paralizuar nervi i mbijetesës, ishte vënë në pikëpyetje progresi kombëtar, ishte shkelur në mënyrë kriminale e me qëllim kriminal, neni themelor i kodit të lashtë shqiptar të luftës.
Pa e mohuar, por edhe pa e idealizuar historinë duhet thënë se ne shqiptarët, jo gjithmonë kemi qenë racionalë për të fituar aq sa duhet në proporcion me gjakun që kemi derdhur. Përkundrazi, fitoret e sukseset i kemi pasur të rralla e të befta, ndërsa netët e robërisë, të gjata. Kemi ardhur duke u ngushtuar si territor, por kemi arritur të mbijetojmë duke qenë të bashkuar e, duke reaguar si një trup i vetëm ndaj rrezikut të përhershëm të asgjësimit kombëtar.
Vitet ’40-të ishin një moment kyç në historinë e Shqipërisë. Na jepej rasti që, pas luftës, të rreshtuar përkrah aleatëve antifashistë, të hynim së fundi në familjen demokratike të Europës. Përveç frymës së përgjithshme patriotike, në Shqipëri aso kohe njohu një lulëzim të paparë tregu ideve politike.
Në tryezën e debatit kishte nacionalistë, ithtarë të Rilindjes, konservatorë, liberalë, fanolistë, zogistë, social-demokratë e komunistë. Bukur. Tregu i ideve premtonte për një të ardhme demokratike pas Çlirimit. Por pikërisht në këtë moment kyç të historisë, si në shumë herë të tjera, për Shqipërinë kanë menduar më shumë institutet e huaja të shqiptarofobisë.
Instituti serb, krahas atij grek, ka përpunuar prej shekujsh një shkencë të tërë shqiptaro-vrasëse. Dora e Beogradit ka qenë dhe mbetet e pranishme në të gjitha makinacionet e jashtme antishqiptare, ashtu siç edhe mbeti për një kohë e pranishme në të gjitha lëvizjet e brendshme ndërhyrëse në jetën politike shqiptare.
Në vitet ’40-të, ne kishim një shans historik kombëtar, por edhe instituti serb, kishte në dorë një shans tjetër për të vrarë e paralizuar progresin e Shqipërisë, kishte në dorë ‘një kartë’ të pa luajtur ndonjëherë e të panjohur nga shqiptarët: komunizmin.
Beogradi me anë të emisarëve të vet në Shqipëri Miladin Popoviç e Dushan Mugosha themeloi dhe mori praktikisht në dorë PKSH-në si dhe me anë të veglave të verbra titiste, si: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Liri Gega, siguroi qysh në fillim monopolin e udhëheqjes së luftës, duke vënë në shërbim të këtij komploti antishqiptar gjithë arsenalin e demagogjisë, të pabesisë e të krimit komunist, të sofistikuar me slogane patriotike kundër fashizmit dhe “bashkëpunëtorëve” të tij.
Disa rrethana të brendshme, si mungesa e traditës pluraliste dhe e partive bashkë me problemin e pushtetit politik që, do të vendosej pas lufte lehtësuan fitoren e aventurës së përgjakshme sllavo-komuniste në Shqipëri. Komunizmi dhe fashizmi, këto dy forma klasike të ekstremizmit politik dhe diktaturës kishin ardhur në pushtet në Europë qysh në fillim të viteve ’20-të.
Idetë komuniste kishin hyrë në Shqipëri qysh në vitet ’30-të, duke kaluar fazën fillestare të “romantizmit marksist”, herë si një kuriozitet filozofik e intelektual, herë si një ëndërrim social, diçka midis aspiratës, aventurës dhe utopisë. Ndërsa kamishat e zeza të fashizmit, erdhën brutalisht me bajoneta, komunizmi u mboll dhe mbiu këtu nga dora titiste që, kishte realisht monopolin udhëheqës të PKSH-së.
Nga mënyra se si hynë në Shqipëri këto dy ideologji, nga fakti se njëri ishte pushtues, ndërsa tjetri thërriste për luftë çlirimtare, nga fakti se njëri ishte i huaj, ndërsa tjetri shqiptar, vetëkuptohet që komunizmi aso kohe kishte avantazhe, ishte më i pëlqyeshëm dhe u përdor me mjeshtëri nga ustallarët e Beogradit dhe veglat e tyre në krye të PKSH-së për të devijuar luftën tonë antifashiste e, për ta vënë atë në shërbim të vendosjes së diktaturës në Shqipëri.
Fshehja e qëllimit final të PKSH-së pas parullave për luftë çlirimtare e, për një Shqipëri demokratike, përdorimi demagogjisë, eliminimi i njerëzve me influencë, i personaliteteve nacionaliste dhe i demokratëve brenda e jashtë PKSH-së, përdorimi i intrigës, dhunës, terrorit dhe i pabesisë ishin armët themelore që realizuan fitoren e komplotit sllavo-komunist në Shqipëri.
Atëhere ishte vërtet e vështirë të kuptoje fijet e këtij komploti dhe përmasat e tragjedisë. Gjormi, megjithatë, ishte ndër të parët që vërejti se, edhe komunizmi ishte i huaj, se përçarja, terrori, vëllavrasja, ishin përsëri të huaja, se ishte shkelur në mënyrë kriminale kodi shqiptari luftës.
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet qysh atëhere. Në këtë fund mijëvjeçari Gjormi, i qepur si gjithnjë në brinjë të malit, me lumin nën këmbë e me kullota e stane mbi krye, kokëfortë në mbijetesën e vet, metaforë e ekzistencës dhe e përjetësisë, sot ka hedhur vështrimin nga e ardhmja, duke përcjellë mesazhin e madh për pajtim e bashkim kombëtar. Memorie.al