Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman është kritikuar ashpër nga kryeministri shqiptar për gjuhën e turpshme që ka përdorur për migrantët, shkruan Ned Simons për ”Huffington Post”.
Edi Rama po viziton Londrën dhe sot do të takohet me Rishi Sunak në Downing Street.
Duke folur për programin Radio Four’s Today, ai tha se marrëdhëniet midis BM dhe Shqipërisë kishin arritur një pikë shumë të ulët, të cilën ai shpresonte ta përmirësonte.
Braverman pohoi para pak kohësh se ka një “pushtim” të emigrantëve që kalojnë La Manshin me varka të vogla, një referencë e veçantë për shqiptarët.
Rama tha se ”ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë të veçohen në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë i turpshëm për politikën britanike”.
I pyetur nëse nënkuptonte gjuhën e përdorur nga ministrat britanikë për vendin e tij, Rama shtoi se ”e kam fjalën pikërisht për atë që është folur për anëtarët e kabinetit duke filluar nga sekretari i Brendshëm”.
”Dua të them pikërisht atë që ka qenë si një veçim i një komuniteti të tërë, që nuk është diçka që ju bëni në qytetërimin tonë dhe diçka që nuk përfaqëson fare Britaninë e Madhe. Ne refuzojmë të kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë. Dhënia e një vule etnike krimit është në vetvete një krim”, tha Rama.
Ai theksoi se ”kjo ka qenë një pikë shumë e ulët në marrëdhëniet tona”.
Por, Rama tha se ishte shumë i kënaqur me Sunak pas një telefonate dhe se do të krijonte një opinion për kryeministrin pas takimit të tyre.
I pyetur për Boris Johnson, kryeministri shqiptar zbuloi se e kishte parë paraqitjen e tij përpara Dhomës së Komuneve.
Ai tha se ”me Borisin kemi pasur marrëdhënie të mira. Më vjen shumë keq për të. Do të doja të mos e kishim parë siç e pashë dje, në një moment vërtet shumë të vështirë për dikë që ka qenë në krye të politikës britanike”.