Në fjalën e tij gjatë interpelancës, në seancë plenare për cështjen McGonigal, kryeministri Edi Rama ironizoi edhe ish kreun e PD, Lulzim Basha, i cili mungoi sot në seancë plenare.

“Tani më falni po unë nuk e kuptoj ku doni të dilni, se dëgjova që edhe marrësi direkt i parave ruse, artisti Lulzim, ishte zgjuar një çast nga gjumi i dimrit dhe i ishte bashkuar korit tuaj, duke bërtitur “doli e vërteta”?!

Cila e vërtetë doli, që paratë i kanë dhënë 500 fantazma shqiptaro-amerikane në diasporë për të shembur komunizmin në Shqipëri dhe rusët i kam shpikur unë, përmes një informacioni dizinformues që përmes dikujt nga zyra ime i është dhënë personit A nga Tropoja, i cili ia ka kaluar personit C nga New York-u, që nga ana e tij ia ka kaluar Departamentit të Drejtësisë Amerikane, përmes të cilit i është kaluar hetuesve të FBI-së, të cilët ia kanë kaluar pastaj të zbardhur CIA-s, e cila e ka kaluar në raportin e saj publik, ku Partia Demokratike, bashkë me disa parti të tjera në rajon, pasqyrohen si forca politike të financuara nga rusët?!

Kjo ishte e vërteta që doli apo edhe rusin që doli me emër e më mbiemër në regjistrat e Thesarit Amerikan, si i paguar për të ndihmuar PD-në e shpika unë në studion e qeramikave të personit D dhe e ktheva në një matrioshkë me dinamit brenda për të hedhur në erë me telekomandë nga Uashingtoni, opozitën e vendit?!” u shpreh Rama.