93 pako me mallra të ndryshme, duke përfshirë veshje, produkte kozmetike e pajisje elektronike janë sekuestruar nga policia e Tiranës pasi ishin futur kontrabandë në Shqipëri.

Policia ka shpallur në kërkim, A. D., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e një poste private, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 37 vjeç, A. K., 22 vjeç dhe A. A., 40 vjeç, të tre banues në Tiranë, punonjës të kësaj poste.

Gjatë kontrollit të magazinave të postës në administrim A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 93 pako me mallra të ndryshme (veshje, produkte kozmetike, pajisje elektronike etj), pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.

Nga veprimet hetimore dyshohet se mallrat e sekuestruara janë futur kontrabandë në Shqipëri. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.