Nisi sot Java e Teknologjisë Tirana-Tel Aviv, në qendër të së cilës është teknologjia dhe inovacioni, ku morën pjesë 88 kompani lider si dhe investitorë potencialë nga Izraeli. Kjo ngjarje synon njohjen e sipërmarrësve izraelitë me eko-sistemin vendas të teknologjisë dhe informacionit dhe kompanitë shqiptare lider në fushën e teknologjisë, si dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes kompanive.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili hapi takimin e parë, tha se Tirana ka potencialin të jetë Tel-Avivi i Ballkanit. “Sot kemi 88 kompani nga Izraeli në Tiranë; Janë 88 mundësi për të lidhur 88 fije bashkëpunimi mes Tiranës dhe Tel-Avivit, ose Shqipërisë dhe Izraelit. 50% e ekonomisë së vendit zhvillohet në Tiranë. Tirana është zyrtarisht qyteti më i ri në Evropë, patjetër është edhe i vetmi qytet që rritet çdo vit”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë përmendi projektin e rijetësimit të Piramidës, e cila së shpejti hap dyert si qendra më e madhe të teknologjisë në rajon. Veliaj dha lajmin e mirë se në zonën e Kasharit do krijohet një hapësirë e lirë ekonomike edhe për bizneset që punojnë në fushën e teknologjisë.

“Bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit kemi hapur një thirrje te Piramida, për start up-et apo kompanitë që duan të vendosen aty. Sigurisht, kemi rezervuar 1/3 e hapësirës për qendrën “Tumo”, ndërkohë 1/3 do të jenë shërbime. Pra, ne duam që kompani të stabilizuara të rekrutojnë që në moshë të vogël talente nga qendra “Tumo”. Gjithashtu, sapo kemi marrë pjesën e fundit të tokës te “Zona e Lirë Ekonomike” në Kashar. Është një hapësirë ideale, sepse lidhet fare mirë edhe me rrugën e Kombinatit, në Jug të Tiranës, edhe me një zonë shumë të madhe si “Astiri”, ku një pjesë e të rinjve fillojnë jetesën e tyre në Tiranë. Është shumë afër zonave të banuara, ku jetojnë shumë të rinj, që merren me aktivitete të tilla, po ashtu është e lidhur me autostradën. Është shumë afër aeroportit dhe shumë afër portit”, tregoi Veliaj.

Në fund, ai tha se është momenti që të lihen pas histeritë dhe të ketë më shumë fokus te profesionet e së ardhmes. “Ftesa për sot është të bëjmë histori, jo histeri. Unë besoj se edhe në Izrael, edhe në Shqipëri, ne prodhojmë pa fund histeri brenda, por kur vjen puna te marrëdhëniet me jashtë duhet të prodhojmë histori; ndaj do të doja shumë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi të jashtëzakonshme, të mësojmë nga njëri-tjetri dhe janë vërtet 88 mundësi për të mbjellë 88 fidanë. E di që të gjithë bëjnë shaka me ato pemët e Lalit, por ata fidanë sot janë rritur, po bëjnë hije dhe në ditë si sot me shi, kur shohim si kanë çelur sythat, ia ka vlejtur fidani që mbollëm para 5-6 vitesh”, përfundoi Veliaj.

Një nga sipërmarrësit izraelit, administrator i Forumit Izrael-Shqipëri, Roi Shaposhnik tha: “Është një privililegj i veçantë të qëndroj këtu përpara jush dhe të bëj këtë lidhje midis këtyre dy shteteve, midis Izraelit dhe Shqipërisë, jo vetëm nga ana politike, por kryesisht nga ana e biznesit. “Golden links”, një kompani 20-vjeçare, kompania jonë, jemi një urë për teknologjinë izraelite në vende të ndryshme të botës dhe përpara 3 vitesh nismuam veprimtarinë tonë të parë këtu në Shqipëri dhe hapëm kryesitë tona në rajonin e Ballkanit, duke u bazuar këtu në Tiranë. Ne do të donim t’i kushtonim rëndësi sifdave kryesore, cilat janë ato, në mënyrë që të sigurohemi që jemi duke qëndruar në pararojë me teknologjinë, duke i kushtuar vëmendje rreziqeve, por po ashtu duke sjellë me vete aftësitë më të mira, më të avancuara, nga Izraeli në Shqipëri, në mënyrë që Tirana të bëhet vendi i parë në Ballkan si një qytet lider në rajonin e Ballkanit”.

Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg tha se Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës së saj. “Është një gjeneratë e re e talentuar, e cila di të flasë disa gjuhë të huaja, ka njohuri, dhe është një potencial i shkëlqyer për gjithçka që janë duke kërkuar kompanitë izraelite lidhur me partnerë dhe punonjës. Shqipëria ka hyrë në dekadën e dytë të zhvillimit të shpejtë të infrastrukturës së saj, e cila ka për ta përgatitur për fazën e radhës. Shqipëria është vendi më miqësor me Izraelin. Përveç faktit që njerëzit janë shumë të mirë, si përfaqësuese e Izraelit mendoj se përfshirja e Izraelit ka përfitime në të dyja shtetet”, u shpreh ambasadorja.

Pjesëmarrja nga pala shqiptare në javën e teknologjisë përfshin përfaqësues të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, përfaqësues nga biznese të ndryshme, si sektori bankar, sektori i sigurimeve, agro-përpunimit, turizmit, shërbimeve dhe industrive përpunuese, si dhe përfaqësues nga institucionet akademike të arsimit të lartë.