Sonte në mbrëmje Juventusi kërkon të rikthehet te fitoret në Seria A, teksa në orën 20:45 do presë në ‘Allians Stadium’ Sampdorian e vendit të fundit, që është e uritur për pikë.

Megjithatë që pas disfatës nga Roma javën e kaluar te bardhezinjtë ka shumë entuziazëm si për faktin e fitores me Freiburg në Europa League ashtu edhe për shpresën e madhe se rikthimi i 15 pikëve të hequra është afër. Në prag të sfidës trajneri Allegri ka thënë se një fitore do e çonte skuadrën në vendin e dytë me 3 pikë më shumë, pasi ai vijon të llogarisë rikthimin e pikëve. Aktualisht ‘zonja e vjetër’ është në vendin e 7 në Seria A. Kundër Sampdorias do mungojnë si Chiesa ashtu edhe Di Maria, por lajmi i mirë është se pas kësaj ndeshje do jenë në dispozicion.

Ndërkohë në orën 18:30 Roma do ketë mundësinë hedhë një hap më të sigurtë drejt vendeve të para që të dërgojnë në Champions League sezonin e ardhshëm. Verdhekuqtë e Jose Mourinho-s presin në shtëpi Sassuolo-n, por lajmi jo i mirë është se të enjten në Europa League u dëmtuan Pellegrini dhe Cristante.

Sakaq në La Liga në orën 21:00 Barcelona luan në transfertën baske të Bilbaos, me shpresën për të koleksionuar një tjetër trepikësh që e mban të blinduar në vendin e parë. Trajneri Xavi vijon të ketë të padisponueshëm futbollistët Dembele dhe Pedri për shkak dëmtimesh, si dhe Araujo si pasojë e një kartoni të kuq.