Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ankimimin e Lëvizjes Bashkë për regjistrimin në zgjedhjet vendore 2023. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, palët paraqitën argumentet e tyre, por KAS vendosi të rrëzojë ankimimin.
“Partia Lëvizja bashkë ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës më datë 9 janar firmat e mbi 3500 qytetarëve, më 9 shkurt gjykata kishte detyrim që të merrte vendimin për njohjen e Lëvizjes Bashkë. Një vendim të tillë gjykata e ka marrë më 2 mars, duke shkelur afatet e përcaktuara nga ligji i partive. Gjithsesi më 6 mars kemi dorëzuar në KQZ dokumentacionin që sipas interpretimit tonë i përmbush kriteret për ta regjistruar partinë në këto zgjedhje. Pretendimi i KQZ është se vërtetimi që ne kemi marrë nga gjykata nuk është i formës së prerë, ndonëse në asnjë prej neneve të kodit zgjedhor apo të ligjit të partive nuk kërkohet që vendimi të jetë i formës së prerë. Nëse i referohemi nenit 9 të ligjit të partive, thuhet se partia politike njihet si person juridik që nga data kur gjykata ta ketë miratuar dhe regjistruar atë. Nëse ligjvënësi do i kishte konsideruar dy shkallë të dallueshme miratimin dhe regjistrimin e një partie, atëherë do shprehej se partia do konsiderohej person juridik në datën e dytë të mëvonshme, atë të regjistrimit të saj. Meqë flitet për një datë atëherë miratimi dhe regjistrimi konsiderohen të barasvlershëm dhe në të njëjtën datë, kësisoj partia regjistrohet person juridik dhe regjistruar që nga data e miratimit, 2 mars. Neni 15, thotë vendimi i gjykatës për regjistrim ose mosregjistrimin mund të ankimohet në apel brenda 15 ditëve nga shpallja e vendimit të gjykatës. Ky nen tregon se gjykata e konsideron të regjistruar partinë, ajo mund ta çregjistrojë partinë pas një ankimimi, por deri në bërjen e ankimit dhe në bërjen enjë vendimi të ri partia konsiderohet i regjistruar. Interpretimi që KQZ i bën 64 pika 2 është i padrejtë. Duhej të ishte regjistruar nga Gjykata e Tiranës që në datën 9 shkurt. Vendimi i KQZ Na heq të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë në zgjedhje dhe na ndëshkon për një faj që se kemi bërë ne”, tha Arlind Qori.