Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi njoftoi se Kolegji i Evropës do të hapë një kampus të ri në Tiranë, një sinjal se vendi ballkanik po i afrohet anëtarësimit në BE, sipas ”Politico”.

Ky vendim shihet nga ekspertët rajonalë si një përpjekje e bllokut për të rritur të ashtuquajturën “fuqinë e tij të butë” në një rajon kyç gjeopolitik. Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE dhe është në proces të përafrimit me rregullat e BE-së dhe kryerjes së reformave për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të bllokut.

“Kampusi i ri do të financohet nga Komisioni Evropian dhe aplikimet për studentët do të hapen në shtator 2023”, sipas Varhelyi.

“E vetmja gjë që na duhet tani është një ndërtesë, një vend i bukur për kolegjin”, tha ai. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me shefin e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe Varhelyi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përshëndeti lajmin duke e konsideruar si një dhuratë të madhe dhe diçka jashtëzakonisht të rëndësishme dhe domethënëse për shqiptarët.

“Pasi kolegji i Bruges hapi një kampus në Poloni në vitet 1990 për të mbështetur vendet që do të bëheshin anëtare të Bashkimit Evropian, tani do të hapet një tjetër kampus në Shqipëri”, tha Rama duke iu referuar hapjes së një kampusi të dytë në Natolin, Poloni, në 1992 si një rajon i angazhuar në integrimin evropian pas rënies së komunizmit.

Kuptimi simbolik i vendimit për të hapur një kampus në Tiranë sipas Varhelyi, ishte një sinjal i qartë se pranimi i Shqipërisë në bllok mund të ndodhë shumë shpejt, siç ndodhi në Poloni.

Në një deklaratë, rektorja e Kolegjit të Evropës dhe ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini përshëndeti planin e shpallur të Komisionit për të financuar një kampus të ri të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

“Ne po fillojmë punën paraprake për të paraqitur një propozim të detajuar”, shtoi ajo.

Presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel mbështetën thirrjet e Shqipërisë për të ngritur një kampus të ri gjatë një samiti të liderëve të BE-së në Tiranë, dhjetorin e kaluar.

Rama refuzoi të caktonte një afat përfundimtar për hyrjen e Shqipërisë në BE, por tha se vendi i tij mund t’i bashkohej bllokut brenda dekadës së ardhshme, diçka që ai pranoi se do të ishte konsideruar e paimagjinueshme deri disa vite më parë.

Universiteti është “alma mater” më i përfaqësuar në mesin e nëpunësve civilë të BE-së, dhe të diplomuarit e tij përfshijnë komisionerin aktual Margaritīs Schinas si dhe ish-kryeministrat e Danimarkës dhe Finlandës, Helle Thorning-Schmidt dhe Alexander Stubb.

Universiteti financohet pjesërisht nga BE-ja dhe qeveritë e tjera kombëtare