Analisti Kreshik Spahiu thotë se kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nuk do të bëjë një koalicion me ish-kryeministrin Sali Berisha për zgjedhjet e 14 majit.

Në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu u shpreh se Berisha do të garojë i vetëm në zgjedhje, megjithëse nënvizoi se do ta ketë të vështirë që të regjistrohet.

“Padyshim që nuk do të respektohet. Unë jam i bindur, edhe në zgjdhjet e 2025-s nuk do të ketë një koalicion të LSI-së me Sali Berishën. Mendoj që Berisha do të shkojë i vetëm.

Unë mendoj që Berisha do ta ketë të vështirë edhe në këto zgjedhje të regjistrohet. Është një grupim i cili po shkon drejt shkrirjes dhe shpërbërjes përfundimtare”, theksoi ai.

Spahiu shtoi se sipas ligjit të Republikës së Shqipërisë PD nuk mund të ekzistojë pasi është në kaos dhe ka tre kryetarë.

“Mendoj se Partia Demokratike sot nuk ekziston. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i vlerësojë të gjitha partitë. Ligji për partitë politike përcakton qartë se si duhet të funksionojë dhe se si duhet të organizohet një parti.

Një grupim politik nuk mund të funksionojë në kaos dhe në anarki se konsiderohet veprimtari e paligjshme. Partia Demokratike është me tre kryetarë, Sali Berisha, Enkeled Alibeaj, Lulzim Basha.

Një parti me tre kryetar, një parti me katër kuvende, një parti me pesë grupe parlamentare. Këtë nuk e lejon ligji i Republikës së Shqipërisë që e kanë votuar këta”,- tha Kreshnik Spahiu, duke shtuar se partitë politike që futen në zgjedhje duhet të jenë të barabarta e t’ia nisin nga zero.