Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë, Kryeministri Rama dekoroi shtatë sportistë elitarë me Medaljen e Mirënjohjes Publike, respektivisht me “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike” për peshëngritësit Briken Calja e Erkand Qerimaj dhe mundësin Zelimkhan Abakarov.
Ndërsa me “Ylli i Mirënjohjes Publike” Eklent Kaçin, skiatoren Lara Colturi, boksierin Alban Beqirin dhe bodybuilding Gentiana Beqa.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Rama u shpreh se: “ Është nder që sot në një vazhdën e një tradite që ka nisur me kampionen tonë të jashtëzakonshme Luiza, të nderojmë me një ceremoni familjare disa kampion të tjerë, që kanë ngritur lartë flamurin tonë kombëtar në arenën botërore.
Dua të ritheksoj se për ne nuk është thjesht një çështje gare, fitore, medaljeje, këto janë të rëndësishme në aspektin sportiv, por është një çështje shembulli për t’u ndjekur, pasioni, sakrifice dhe kuraje për t’i kapërcyer vështirësitë. Prandaj dua që këto shembuj t’i vlerësojmë përditë, gjithmonë, po sot i vlerësojmë me yjet e mirënjohjes publike, për gjithçka ju bëni për Shqipërinë dhe sportin shqiptar.
Ne jemi të vendosur ta thellojmë mbështetjen në dy binar, për sportistët elitarë dhe lëvizjen e sportit në shkolla. Ne duam të vazhdojmë të shtojmë mbështetjen për periudhat stërvitore speciale, pasi aty ka akoma boshllëk.”
Për vitin 2022 kanë përfituar shpërblim gjithsej 54 protagonistë, ndër të cilët 27 shpërblime janë akorduar për sportistët, ndër ta si Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Krenar Shoraj, Artur Lagja, së bashku me 27 trajnerët e tyre.
Gjithashtu, për herë të parë sportistët si Izmir Smalaj, Luiza Gega, Heidi Velikaj e Redia Dauti kanë përfituar shpërblim për fitimin e titullit Kampion Ballkani.