Teksa po mbëhet mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike për të diskutuar skenarët e kandidimit në zgjedhjet e 14 majit, duket se anëtarët janë ndarë në dy grupe.
Burime për BË bëjnë me dije se Kolegji i Kryetarëve ka pasur diskutime mjaft të gjera ku ka mbizotëruar ideja ku kanë kërkuar që të ketë kandidatë të PD-së zyrtare të drejtuar nga Enbkelejd Alibeaj në të gjitha bashkitë.
Por ka pasur edhe propozime për të arritur edhe një marrëveshje me palën tjetër që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, e cila deri më tani nuk është finalizuar.
Shumica e deputetëve të grupit parlamentar të PD-së së drejtuar nga Alibeaj mendojnë se në 14 maj duhet të garojnë vetëm me emra për këshillat bashkiakë.
Ndër emrat që kanë kërkuar të mbështeten kandidatët e “Primareve” të Berishës janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi apo edhe Dashnor Sula.
Anëtarja e Kryesisë, Taulanta Jupi, ka thënë se duhet të hyhet me kandidatë në të gjitha bashkitë, mendim të cilit i janë bashkuar Gazmend Koduzi, Orjola Pampuri e Agron Kapllanaj ndër të tjerë, mendim ky i cili mbështetet edhe nga kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj.
Ndërsa deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka shprehur mendimin për garimin me kandidatë vetëm në ato bashki ku ka mundësi për të fituar.