Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi në një reagim të shpërndarë për mediat, ka treguar arsyen përse ka dëshmuar ditën e sotme në SPAK. Bushi rrëfeu se ai ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me kallëzimin e një qytetari ndaj të cilit Bashkia Krujë ka ndërmarrë masa administrative për disa objekte të ndërtuara pa leje.
Kryebashkiaku tha se gjithçka është thënë në media është një sulm që i bëhet atij për shkak të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Reagimi i plotë:
Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut, aq sa me lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time në lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja (Muharrem Hoqja) i cili ka pretendimet për sulm personal të kryetarit të Bashkisë në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij për tre ndërtime pa leje të bëra nga ky shtetas dhe masat ligjore të marra ndaj tij.
Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë dhe do të vij sa herë që do e jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit.
Çdo aludim tjetër dashakeq në media, apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq edhe në këtë fushatë opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut.
Me mirënjohje Artur Bushi