Ka ardhur një përgjigje e qartë politike nga dega e Partisë Demokratike të Shkodrës pas vendimit të kryesisë qendrore që të mos dalin me kandidat në bashkinë më të madhe në veri.
Kryetari i degës së PD-së Shkodër, Xhevdet Amuli, ka deklaruar në televizionin lokal TV1 Channel, se strukturat e Partisë Demokratike nuk do të mbështesin Bardh Spahinë për kryetar bashkie.
“Struktura është e përgatitur dhe strukturës i intereson vetëm PD, edhe pse janë zgjedhje lokale, por më shumë se aq janë zgjedhje politike.
Kështu që në këtë moment, unë dhe strukturat e PD-së, do të punoj për PD, për listën e këshillit bashkiak, ku secili prej tyre mund të ishte një potencial për drejtimin e bashkisë.”
Amuli deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme t’i orientojë demokratët për të mbështetur koalicion Berisha-Meta, për faktin se sipas tij, PL-ish LSI, ishte ajo që ka çuar në shkatërrimin e PD-së ndër vite.
”Unë nuk kam si të votoj PS, as PL, janë dy pole që ndër vite janë munduar të shkërmoqin PD-në. Ne do të votojmë PD, figurat e PD, këshillat bashkiakë, kjo është zgjidhja.
Unë nuk kam lidhje me asnjë subjekt te tjera dhe siç e thashë shkatërrimi i PD-së ndër vite është LSI, që në koalicionin e parë. Kandidati, pra Bardhi kujt i shërben? Berisha-Meta e kanë shkatërruar PD, e ka ardhur koha që ne të vazhdojmë drejt rrugë së saj, të ndahemi nga e kaluara.
Foltorja e ka filluar ‘reformën’ e administrates në Shkodër, duke larguar me personat më të vlefshëm të PD, dhe disa herë e kam denoncuar për këto largime nga puna, se janë larguar pa asnjë motivacion, kështu që nuk mund tu them demokratëve dhe t’i orientoj ata që të votojnë PL”, tha Omuli.
Ndërkaq, kreu i PD-së së Shkodrës ka folur edhe mbi vendimin e marrë nga kryesia qendrore për të mos nxjerrin kandidat në këtë bashki.
Xhevdet Amuli, shprehet se vendimi për të mos marrë pjese më një kandidat të PD zyrtare, atë të Alibeaj, u mor nga kryesia e PD-së, dhe si e tillë duhet respektuar.
”Kështu e ka parë të arsyeshme, kryesia e PD-së, vendimi merret nga kryesia e PD-së, pavarësisht se Alibeaj është kryetari në detyrë, por gjithsesi ai nuk mund të vendos pa marrë vendimin dhe votimin e kryesisë së PD-së.
Në fakt në shumë gjera nuk ka tingëlluar mirë marrja pjesë me më shumë se një kandidat, por sipas kalkulimeve, dhe të çdo gjeje që është bërë, është parë e arsyeshme qe në disa degë të mos merret pjesë me një kandidat.”