Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino kanë takuar dhe uruar mësuesit dhe nxënësit e shkollës së mesme të përgjithshme “Dhosi Liperi” në Sukth me rastin e 7 Marsit, festës së mësuesve.

“Dhosi Liperi” është një shkollë e re e sapopërfunduar mundësuar nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP. 300 nxënësit e kësaj shkolle dhe stafi pedagogjik zhvillojnë tashmë procesin mësimor në një shkollë me standarte evropiane. Vetëm në njësinë administrative Sukth janë ndërtuar 5 shkolla të reja, 4 nga procesi i rindërtimit dhe një tjetër me buxhetin e bashkisë. 2 prej këtyre godinave arsimore janë shkolla të mesme.

Në të gjithë bashkinë e Durrësit vetëm në tre vitet e fundit janë ndërtuar 18 objekte të reja arsimore në kuadër të procesit të rindërtimit ndërkohë që shumë të tjera janë në proces.