Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur mbi takimin që pritet të mbahet në Ohër me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në 18 mars. Kurti tha për mediat e Kosovës se përgatitjet po vazhdonin me qëllimin për të qenë efikase dhe gjithëpërfshirëse.
“Do të vazhdojmë përgatitjet për takimin e 18 marsit dhe të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit edhe planin e mirëfilltë të zbatimit që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja edhe efikasiteti”- u shpreh Kurti.
Kurti më tej, zbuloi edhe detaje nga takimi i 27 shkurtit me Vuçiç në Bruksel, duke zbuluar se kishte qenë i gatshëm të nënshkruante marëveshjen edhe në 27 shkurt por presidenti i Serbisë, nuk kishte pranuar.
Ai tha se fakti që nuk u nënshkrua marrëveshja në Brsukel është dëm por tha se për këtë gjë duhej pyetur Vuçiç dhe ndërmjetësuesit. “Unë isha i gatshëm të nënshkruaj kur ishim në Bruksel, andaj ju e kuptoni që për marrëveshje duhen dy palë.
Është dëm që teksti i dakorduar tashmë nuk është nënshkruar më 27 shkurt. Pse s’ka nënshkrime, besoj përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, ka theksuar Kurti.
Kreu i ekzekutivit në Kosovë, nuk ka zbuluar detaje të tjera rreth marrëveshjes të cilën pritet të nënshkruajë me Vuçiç.
Por deri më tani, dy liderët, kanë rënë dakord për planin franko-gjerman, pavarësisht se ende nuk është nënshkruar.
Në takimin e tyre në Bruksel ata ranë dakord se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.