Vajza e një diktatori të korruptuar, e cila hiqej edhe si yll popi dhe diplomate, ka shpenzuar të paktën 240 milionë dollarë në prona nga Londra deri në Hong Kong.

Sipas BBC, Gulnara Karimova përdori kompanitë e saj në Mbretërinë e Bashkuar për të blerë shtëpi dhe një avion privat me fondet e marra përmes ryshfetit dhe korrupsionit. Kështu thuhet në një raport të hartuar nga ‘Freedom for Eurasia’. Ky raport ngre të tjera dyshime mbi përpjekjet që bën Britania e Madhe për të luftuar pasuritë e paligjshme, raporton BBC. Në raport thuhet se lehtësia me të cilën Karimova ka siguruar pronat e saj britanike është shqetësuese. Për një periudhë kohe, Gulnara Karimova mendohej se do të ishte pasuesja e babait të saj, Islam Karimov, që sundoi Uzbekistanin prej vitit 1989 deri në vdekjen e tij në vitin 2016. Ajo shfaqej në video të muzikës pop me emrin e artit Googoosha, kishte një kompani bizhuterish dhe kishte shërbyer si ambasadore në Spanjë.

Në vitin 2014, ajo u zhduk nga sytë e publikut. Më vonë u mësua se ishte arrestuar me akuzat për korrupsion, në kohën që babai i saj ishte akoma në pushtet. Në vitin 2017, ajo u dënua dhe në vitin 2019 u dërgua në burg pasi kishte thyer masën e sigurisë së arrestit shtëpiak. Prokurorët thonë se ajo ishte pjesë e një grupi kriminal që kontrollonte asete me vlerë mbi 1 miliardë dollarë në 12 vende. Tom Mayne, një nga hartuesit e raportit tha se rasti Karimova është një nga rastet më të mëdhenj të korrupsionit dhe ryshfetit në histori.