Kushdo që arrin në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht me një gomone do të pengohet të kërkojë azil. Ligjet e reja pritet të hyjnë në fuqi këtë javë. Ministrat do të kenë për detyrë të “ndalojnë dhe largojnë me shpejtësi” këdo që shkon në brigjet britanike përmes kësaj rruge, tha Sekretarja e Brendshme Suella Braverman. Kryeministri britanik Rishi Sunak ka përsëritur se “ndalimi i gomoneve” është një nga pesë prioritetet e qeverisjes së tij. Organizata bamirëse e Kryqit të Kuq Britanik i ka cilësuar planet “jashtëzakonisht shqetësuese”.
Ministrja e Brendshme Braverman pritet të prezantojë legjislacionin e ri të martën.
Aktualisht, azilkërkuesit kanë të drejtë të qëndrojnë për të dëgjuar çështjen e tyre. Por me hyrjen në fuqi të legjislacionit të ri, ata që mbërrijnë me gomone do të pengohen të kërkojnë azil në Britani të Madhe do të largohen në Ruandë ose në një “vend të tretë të sigurt” dhe do të ndalohen përgjithmonë të kthehen në ishull.
“Mos bëni gabim, nëse vini këtu ilegalisht, nuk do të mund të qëndroni”, ishte paralajmërimi i fundit i kryeministrit Rishi Sunak. Ai pritet të udhëtojë në Paris për një samit, i pari që nga 2018. Mendohet se Sunad dhe Macron do të diskutojnë për krizën e gomoneve. Një total prej 45.755 emigrantësh kaluan Kanalin La Mansh për në Britani në vitin 2022. Ky është numri më i lartë që kur këto shifra filluan të mblidheshin nga qeveria në vitin 2018. Azilkërkuesit që shkojnë në Britaninë e Madhe janë nga një sërë vendesh, ku dominojnë qytetarët nga Shqipëria, Irani, Iraku, Afganistani dhe Siria.