Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka komentuar lidhjet ruse të Monika Kryemadhit duke thënë se Prokuroria duhet të kishte nisur hetimet. Për vetë Kryemadhin shprehet se duhet të kishte dalë e të sqaronte pasi kanë dalë aksionerët që janë në listën e zezë të SHBA.
“Rreth 5 vite më parë kam dalë në mënyrë të rregullt para jush për një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe lidhet me faktin se edhe Shqiopëria ka qenë vulnerabël dhe target i penetrimit të financimeve të paligjshme nga kompani guacka, off-shore që financonin parti politike apo politikanë të caktuar. Ajo që ka zbuluar dje Top Channel ose ka vijuar, por e djeshmja është panoramë e plot, skemë e përdorur nga Kremlini që përmes oligarkëve e biznesmenëve të kenë financuar politikanë të caktuar në vende të ndryshme në Europë. Raste të tilla janë zbuluar. Përpjekja është e qartë, lidhja me politikanë për të dëmtuar demokracinë dhe për të krijuar një front pro rus në këto vende.
Kryemadhi duhet të kishte dalë e t’i sqaronte. Si ka mundësi që gjendesh në dokumente tëe tilla. Kanë dalë dhe aksionerët që janë në listat e zeza të SHBA për shkak edhe sanksioneve të vendosura pas agresionit rus dhe më e rëndësishme është subjekti i deklarimit. Në cilin vend të Europës do të dilte një politikan i këtij niveli dhe si bashkëshortë e presidentit të Republikës kur ka një llogari në off-shore. E mbani mend çfarë tërmeti shkaktoi emri i një politikani në llogaritë bankare të off-shoreve në Panama, shumica e politikanëve dhanë dorëheqjen dhe organet ligjzbatuese nisën menjëherë hetimet, në rastin tonë Prokuroria.
Unë mendoj që është prekur siguria kombëtare. Kur je në shoqëri tregtare ku marrin pjesë politikanë të lidhur me Putin, kjo është e rëndë”, tha Balla.