Beteja brenda Partisë Demokratike është zhvendosur tashmë në dyert e KQZ-së. Një ditë pasi Sali Berisha paraqiti në KQZ kërkesën për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, pasi shprehet i bindur se ai ka të drejtë ligjore, ditën e sotme pritet që Enkelejd Alibeaj, të cilit gjykata e Apelit i la vulën e PD-së, do të dorëzojë sot dokumentacionin për regjistrimin e partisë.
Berisha një ditë më parë sfidoi vendimin e gjykatës së Apelit dhe dërgoi përfaqësuesit ligjorë të ‘Rithemelimit’, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri që depozituan dokumentacionin për regjistrimin si subjekt zgjedhor në emër të Partisë Demokratike për 14 majin.

Berisha i ka firmosur dokumentet si kryetar i Partisë Demokratike. Në argumentimin e kërkesës Berisha e cilëson vendimin e Agron Zhukrit që ka njohur Kuvendin që ai ka zhvilluar më 11 dhjetor 2021 si të pashfuqizuar. Berisha thotë se do të bëhet rekurs nga ana e tij dhe kjo e bën vendimin jo të formës së prerë.