Rusia ka intensifikuar ofensivën në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase më 21 mars. Këto njoftime vijnë teksa kryeministri i Japonisë është nisur drejt Kievit për të treguar mbështetjen e tij për Ukrainën që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus.

Mbrojtësit ukrainas kanë zmbrapsur 120 sulme, të përqendruara kryesisht në Bahmut. Ky qytet është pika qendrore e luftimeve për muaj të tërë, dhe luftimet kanë shkaktuar humbje të mëdha në të dyja palët, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportimin ditor, duke shtuar se rusët po ashtu kanë tentuar që të përparojnë në drejtim të Avdijivkës, Limanit, Marijnikës dhe Shahtarskut.

Forcat ruse kanë granatuar civilët dhe infrastrukturën në 11 vendbanime përgjatë linjës së kontaktit, tha ushtria ukrainase. Forcat ukrainase po ashtu kanë zmbrapsur sulme ruse në Kupiansk, në rajonin verior të Harkivit, tha Shtabi i Përgjithshëm.