Manastirliu: Riorganizim i Urgjencës Polivalente, bëhemi gati për fillimin e funksionimit të Spitalit Qendror
“Faza tjetër e investimit, ndërtimi i spitalit ditor me 60 shtretër”
28 Mars, Tiranë- Urgjenca Polivalente e Spitalit Qendror në QSUT do të riorganizohet, në funksion të një përgjigje më të shpejtë dhe të koordinuar të urgjencave mjekësore, teksa do të nisë së shpejti transferimi i shërbimeve në spitalin e ri. Gjatë një takimi me shefat e shërbimeve të QSUT për organizimin e urgjencës dhe të shërbimeve në spitalin e ri, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se duhet të bëhet sa më parë funksional ky spital.
“Jemi bashkë në këtë takim organizativ për vendosjen e disa piketave për funksionimin e Spitalit Qendror të QSUT, për të mirëadministruar të gjithë këtë investim, i cili është bërë për të ofruar shërbime për qytetarët dhe për të garantuar që personeli ynë shëndetësor të ketë mundësinë që të zhvillojë të gjithë potencialin e tij brenda kësaj vepre të madhe që tashmë është finalizuar. Do të kemi një riorganizim të Urgjencës Polivalente dhe me transferimin e shërbimeve në spitalin e ri. Ne jemi gati në të gjithë ato parametrat të cilat janë kërkuar deri më sot, për të filluar tashmë transferimin dhe funksionimin e këtij spitali”,- theksoi Ministrja Manastirliu.
Gjatë takimit me shefat e shërbimit të QSUT, Ministrja Manastirliu, bëri me dije se menjëherë pas fillimit të funksionimit të spitalit të ri, do të nisë puna për fazën tjetër, me ndërtimin e një spitali ditor në QSUT, me 60 shtretër.
“Bërja funksional i këtij spitali na hap rrugën edhe drejt një ivestimi të ri. Aty ku sot është urgjenca aktuale e QSUT, pra në godinën A1 siç e quajmë ne, apo në Spitalin e Kirurgjisë sot, do të kemi mundësinë që aty do të kemi një spital ditor me 60 shtretër. Do të kemi aty edhe qendrën e dializës si dhe një strukturë të toksikologjisë brenda këtij spitali”,- tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se në Spitalin Qendror është shtuar numri i stafit me 47 punonjës të rinj, duke mundësuar që të ketë më shumë mjekë, infermierë dhe koordinatorë.
Spitali i ri Qendror në QSUT, një spital krejtësisht i ri i ndërtuar nga themelet për sëmundjet e brendshme, vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në tre dekadat e fundit. Spitali Qendror ka një sipërfaqje ndërtimi 26 mijë m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca, imazheria, etj.