15 Mars, New York- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka marrë pjesë në Sesionin e 67-të të Komisionit për Statusin e Gruas që zhvilloi punimet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.
Gjatë vizitës zyrtare në New York, Ministrja Manastirliu u takua me Drejtoren për Rajonin e Evropës dhe Azisë në UN Women, znj. Alia El-Yassir.
Nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook, Manastirliu bëri me dije se është diskutuar mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe mbështetjen që UN Women po jep për hartimin e Planit të ri të Veprimit në kuadër të Rezolutës 1325, “Gruaja, Paqja dhe Siguria”.
Manastirliu nënvizon se ka informuar El-Yassir për progresin që Shqipëria ka bërë për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe ndikimin që kanë sjellë në reduktimin e burokracive dhe eleminimin e barrierave.
“New York – Takim i frutshëm me Alia El-Yassir, Drejtore për Rajonin e Evropës dhe Azisë në UN Women🤝 Diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore, luftën kundër dhunës ndaj grave dhe mbështetjen që UN Women po jep për hartimin e Planit të ri të Veprimit në kuadër të Rezolutës 1325, “Gruaja, Paqja dhe Siguria” ku #MShMS ka rolin e koordinatorit mes institucioneve zbatuese.
E informova për progresin që Shqipëria ka bërë për digjitalizimin e shërbimeve publike dhe ndikimin që kanë sjellë këto zhvillime, në reduktimin e burokracive dhe eleminimin e barrierave, si dhe planin për zgjerimin e shërbimeve online dhe programet e reja për rritjen e aftësive digjitale, me synim rritjen e aksesit në shërbimet publike dhe tregut të punës me synim fuqizimin ekonomik e social të grave dhe vajzave”,- shkruan Manastirliu.