“Ky Kongres vendosi platformë të re komunikimi mes aktorëve të Shëndetësisë”
7 Mars, Tiranë- Kongresi i Parë i Shëndetësisë i mbajtur në Tiranë për tre ditë ka mbyllur punimet ditën e sotme.
Në përfundim të tij, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka përmendur tre konkluzionet kryesore.
“Këto tre ditë kanë qenë vërtetë ditë të frytshme në disa aspekte, së pari në aspektin e ndërtimit të urave të komunikimit mes ekspertëve; së dyti në shkëmbimin e eksperiencave të praktikave më të mira dhe zhvillimeve të ndodhura me sistemin shëndetësor shqiptar gjatë vitëve të fundit; së treti në adresimin e sfidave që po përballen sistemet shëndetësore në përballje me zhvillimet sociale, ekonomike, shëndetësore, jo gjithmonë të parashikueshme”,- tha Manastirliu
Duke i ka konsideruar burimet njerëzore si fjalën kyçe të këtij Kongresi, Manastirliu tha se rritja me 50 mijë lekë të reja për mjekët specialistë, do të jetë një nga mbështetjet më të rëndësishme për të fuqizuar bluzat e bardha.
“Fjala kyçe e këtij Kongresi ishte kapitali njerëzor, zhvillimi i tij ,investimi në edukim, aftësi dhe shëndet, duke bërë që të shpaloset potenciali i gjithsecilit në mënyrë që të rritet produktiviteti. Unë jam shumë e kënaqur që dje të gjithë profesionistët e shëndetsisë janë njoftuar nga kryeministri Rama edhe për vijimin e rritjes së pagave përsa I përket personelit shëndetësor e kemi rritur me 7%, dhe një rritje e targetuar e pagave për mjekët specialist për strukturat tona të shërbimit spitalor paga për të cilët do të rritet me 50.000 të reja dhe kjo është një garanci dhe një shembull se si nëpërmjet programeve dhe instrumentave dhe rritjes së vazhdueshme të pagave, por edhe përmirësimit të kushteve të punës ne jemi duke fuqizuar burimet tona njerëzore, por edhe duke adresuar sfidat që na prekin të gjithëve që është edhe sfida e mobilitetit të personelit mjekësor”,- nenvizoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu tha se ky Kongres ka vendosur një platformë të re komunikimi mes aktorëve të Shëndetësisë.
“Ky Kongres ka vendosur një platform të re interaktive komunikimi mes profesionistëve, politikëbërsve dhe ofruesve të shërbimeve. Ka bërë të mundur analizimin e zhvillimeve të deri sotme, pra kemi mundur që të kemi evidenca të përmbledhura në të gjithë nënsektorët e Shëndetësisë, sa i përket zhvillimeve, investimeve në të gjithë këto vite, fuqizimit të sistemit shëndetësor, sa i përket hallkave ku ky sistem ka nevojë që të investohet dhe fuqizohet në vazhdim dhe sigurisht janë të gjitha këto rekomandimet që kanë dalë nga sesionet që do të përkthehen në objektiva”, tha Manastirliu.
Teksa ka folur për objektivat e dala nga ky Kongres Manastirliu tha: “Duhet të vijojmë të ulim pabarazinë, të ulim hendekun duke mundësuar rritjen e aksesit në sistemin shëndetësor. Mbi të gjitha të zgjerojmë skemën e rimbursimit të barnave në mënyrë që më shumë barna të aksesohen nga të sëmurët kronik. Me shumë shërbime të digjitalizuara, ku fokusi është tek ulja e barrierave për të siguruar mundësi të barabarta për këdo. Dhe në fund është rëndësia e bashkëpunimit dhe partneritetit për adresimin e sfidave komplekse shëndetësore. Duhet që të gjithë të punojmë për një qëllim për progres për shëndetin e qytetarëve “,- u shpreh Manastirliu.
Kongresi i Parë i Shëndetësisë u mbajt në Tiranë në datat 5,6,7 Mars.
Në Kongresin e Shëndetësisë morën pjesë rreth 2000 pjesëmarrës, në seancën plenara me pas në 10 sesionet e tij. Gjatë zhvillimit të djeshëm dhe të sotëm ishin të ftuar në panele rreth 100 ekspertë vendas, ndërkombëtarë, profesorë të universiteteve, drejtues të agjensive vëndase dhe të huaja ,organizatave ndërkombëtare ,përfitues të kujdesit shëndetësor ,profesionistë të shendetësisë ,organizata joqeveritare ,përfaqësues të shërbimit publik dhe jopublik, partnerë dhe përfaqësues të bizneseve, politikëbërës nga vendi dhe nga rajoni.