I dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak nis sot takimet ne Beograd. Në orën 14.30 Lajçak do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ende nuk ka informacion nëse Lajçak në Serbi do të takohet edhe me liderët e opozitës atje.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, thotë se takimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Ohër nuk do të jetë Dita D, por do të ketë shumë ditë më të vështira dhe shumë biseda komplekse, negociata, diplomaci, mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.
Serbia nuk i është shmangur asnjëherë bisedimeve, kështu që nuk do të ndodhë as tani tha ministri serb duke iu referuar edhe vizitës së Lajçak.
“Natyrisht, shtrohet pyetja e të gjitha pyetjeve – ku është Bashkësia e Komunave Serbe dhe çfarë po ndodh me të, edhe pastaj mund të diskutohen të gjitha temat dhe çështjet tjera, përveç njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe hyrjes së Kosovës në OKB”, tha Vuçeviç.
Lajçak e viziton sot Serbinë pas takimeve me liderë politikë dhe jo vetëm në Kosovë. Axhenda e Lajçak lidhet me përgatitjet e takimit të 18 marsit, në Ohër.