Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një reagim të saj, sqaroi sot se, godinat e mbetura të Prestige Resort do t’i kalojnë Shërbimit Social Shtetëror, dhe procedurat janë kryer në zbatim të ligjit. MFE informon publikun se, “me qëllim përmbushjen e standardeve sa më të mira për marrësit e shërbimeve nga institucionet e përkujdesit shoqëror, i ka propozuar Këshillit të Ministrave kalimin e objekteve në pronësi publike, të konfiskuar në baze të ligjit”.

Në një njoftim për shtyp, MFE sqaron se, “Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë se, me kërkesë të Shërbimit Social Shteteror, me qëllim sigurimin e hapësirave shtesë dhe të reja për institucionet rezidenciale për ofrimin e sherbimeve sociale, për personat me aftësi të kufizuar apo kategorive të tjera vulnerabel, me qëllim përmbushjen e standardeve sa më të mira për marrësit e shërbimeve të ofruara nga institucionet e përkujdesit shoqëror, i ka propozuar Këshillit të Ministrave kalimin e objekteve në pronësi publike, konfiskuar në baze të ligjit dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”.

Sipas MFE-së, “të gjitha procedurat e kryera nga institucionet publike në harkun kohor 2022-2023, janë në përputhje të plotë me ligjin dhe kushtetutën”. “Ndryshe nga sa pretendojnë palë të caktuara nuk egziston asnjë vendim gjyqësor, i asnjë lloj forme, që të ketë pezulluar vendimmarrjen shtetërore”, thekson MFE.

“Ditën e sotme nuk ka ndodhur asgjë ndryshe nga ditët dhe javët e kaluara, kur përfaqësues të institucioneve shtetërore kanë kryer procedurat e nevojshme për zbatimin e vendimmarrjes”, shton MFE. “Politizimi dhe mediatizimi i kësaj çështjeje, e cila në thelb është një procedurë administrative, nuk i shërben as zbatimit të ligjit, as mbështetjes që shteti shqiptar i jep shtresave në nevojë”, thekson në njoftimin e saj MFE.