Belind Këlliçi, kandidati i Foltores për Bashkinë e Tiranës regjistruar nën siglën e partisë së Ilir Metës, ka theksuar se është ndihmuar nga familja për të përballuar shpenzimet, pasi rroga e tij është e ulët, deri në 2.5 milionë lekë të vjetra në muaj si deputet, ndërsa nëse do të zgjidhet kryetar bashkie rroga do të jetë deri në 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Por ndryshe nga qëndrimet publike të Këlliçit, disa fakte dhe rrethana ngrenë dyshime mbi pasurinë dhe të ardhurat e kandidatit për Bashkinë e Tiranës.
Belind Këlliçi ka deklaruar për herë të parë pasurinë në shtator të vitit 2021 pasi mori mandatin e deputetit. Edhe pse me paga modeste deri në atë kohë në Bashkinë e Tiranës dhe më pas si i punësuar pranë Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaron mbi 90 mijë USD në llogari bankare dhe cash. Këlliçi deklaron një pemëtore në Ibë me sipërfaqe 1 mijë m2, me vlerë 4.7 milionë lekë të vjetra, si dhe një makinë të BMW, me vlerë 13 800 euro. Si burim të pasurisë Belind Këlliçi deklaron kursimet e tij nga të ardhurat në vite, si dhe të ardhura dhe kontribute familjare, kryesisht nga vëllai.
-Së pari, në deklarimin e pasurisë, nuk qartësohet se sa është shuma që Këlliçi ka kursyer nga pagat e tij ndër vite, sa është kontributi i vëllait dhe i familjarëve të tjerë. Deklarimi është tepër përgjithësues dhe i mjegullt.
-Së dyti, ndryshe nga subjektet e tjera deklaruese, Belind Këlliçi nuk referon datën e saktë se kur e ka blerë pemëtoren dhe makinën. Data është një element i rëndësishëm dhe jo pa qëllim e kërkon ligji, pasi me kalimin e kohës makinës mund t’i bie vlera për shkak të amortizimit, ndërsa pronës mund t’i rritet vlera.
-Së treti, ka dyshime se vlera e makinës së deklaruar nga Belind Këlliçi mund të jetë më e lartë nga sa është deklaruar. Nga verifikimet që ka kryer Shqiptarja.com, rezulton se makina tip BMW, është viti prodhimi 2017, me naftë dhe me cilindrate 2993 CC, e ardhur nga Kanadaja. Vetëm TVSH-ja në doganë ka kushtuar rreth 4 milionë lekë të vjetra.
Meqenëse TVSH-ja është 20 %, makina ka kushtuar të paktën rreth 20 mijë USD. Këlliçit i është zbritur TVSH-ja pasi ka përfituar nga statusi i deputetit. Çdo deputet, një herë gjatë mandatit, ka të drejtë të fusë send apo mall pa paguar detyrime doganore, me kusht që malli të ketë lidhje me punën e tij. Këlliçi ka zgjedhur të fusë një makinë. Më pas, Këlliçi deklaron se e ka shitur makinën po aq sa e ka blerë, për të blerë një makinë tjetër me vlerë 15 600 euro.
-Së katërti, Kandidati i Foltores për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi nuk deklaron as pasurinë e bashkëjetueses së tij, me të cilën është shfaqur si çift prej vitesh. Nga burime të hapura, thuhet se Këlliçi bashkëjeton prej kohësh me A. Sh.