Adriatik Doci
Media evropiane EU Reporter, në 15 mars 2023, në një artikull mbi ndikimin e Rusisë në Ballkan, publikoi dokumente mbi tre transfertave bankare të Monika Kryemadhi. Dokumentet e publikuara tregonin se në vitin 2017, Kryemadhi ka marrë dy pagesa nga kompania Holdem Holdings Limited, një kompani e inkorporuar në Qipro dhe ka bërë një pagesë për Vradus Holdings Limited, një tjetër kompani e inkorporuar në Qipro. Pas kompanisë offshore, Vradus Holdings, qëndron Vitaly Savvin, një biznesmen rus në tregun e naftës. Pas kompanisë tjetër offshore Holdem Holdings, qëndrojnë gjithashtu oligarkët rusë të naftës Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan.
Pagesat janë shënuar ‘dividend për aksionarët’ dhe ‘shërbimet e marketingut’. Shënimi i parë tregon jo vetëm se Monika Kryemadhi ka llogari të fshehta jashtë vendit, por se është edhe aksionere në kompani me oligarkë rusë pranë Putinit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime lufte. Megjithatë, shënimi të qenit aksioner mund të jetë një sajim për të mbuluar lëvizjen e parave të pista, të cilat dyshohet se si burim kanë aferat dhe abuzimin me pushtetin në Shqipëri.
Në një reagim për mediat në Tiranë, EU Reporter tha se “provat e pretenduara tregojnë qartë se Kryemadhi kishte një llogari bankare në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih, Zvicër”. Nga ana e saj, Monika Kryemadhi ka mohuar që të ketë aksione dhe llogari jashtë vendit. Por, sot, Report Tv sjell një provë shtesë, e cila përputhet me dokumentet e publikuara nga EU Reporter, duke rënduar pozitat e Monika Kryemadhit. Bëhet fjalë për lëvizjet jashtë vendit të ish kryetares së LSI-së, lëvizje të cilat përputhen me lëvizjen e parave.
Nga verifikimet, rezulton se Monika Kryemadhi, në datën 17 korrik 2017, ora 14:26, ka kaluar kufirin në këmbë në pikën e kufitare të Qafë Botës. Duket i çuditshëm fakti se si ka mundësi që një deputete dhe në atë kohë kryetare e LSI-së, kalon kufirin në këmbë. Një ditë më pas, në 18 korrik 2017, ora 15 e 20 minuta, siç edhe e konfirmon ky dokument, nga llogaria e Monika Kryemadhit në Credit Agricole Suisse SA në Zyrih, Zvicër drejt llogarisë së kompanisë Vradus Holdings Limited, numri i faturës: 030125062017. (Adresa e Vradus Holdings Limited: 150 Grivas, Digeni st limassol Qipro).
Shuma e kaluar tek llogaria e kompanisë së biznesmenit rus të naftës Vitaly Savvin, është 9.6 mijë USD, për shërbim marketingu.
Nëse për të kaluar para në llogarinë e Monika Kryemadhit, kësaj të fundit nuk i nevojitet për të qenë prezent tek banka, për të kaluar para nga llogaria e saj në llogari të kompanive të tjera, duhet që klienti të jetë prezent dhe të nënshkruajë. Ndërkaq, një ditë pas këtij transaksioni, Monika Kryemadhi kthehet në Shqipëri. Zonja Kryemadhi rezulton se ka kaluar në pikën kufitare në Qafë Botë, me makinë, në 19 korrik 2017, në orën 11 e 39 minuta.
Përputhja e lëvizjeve në TIMS me transaksionet e paligjshme në Zvicër është një tjetër provë e fortë për SPAK-un, i cili nuk dihet nëse ka nisur apo jo hetimet kryesisht. Report Tv ka verifikuar edhe deklaratat e pasurisë së Monika Kryemadhit nga viti 2003 deri në vitin 2021. Këto transaksionet nuk janë deklaruar në ILDKPKI siç e parashikon ligji./Shqiptarja.com