Nga Mero Baze/
Mocioni për debat me kryeministrin Edi Rama rreth lidhjeve të tij me ish- agjentin e antiterrorit të FBI McGonigal, është një rast i rrallë që bashkon gjithë opozitën, pasi kanë shansin të shpjegojnë dështimet e tyre me një ngjarje që po përpiqen ta paraqesin si misterioze. Në fakt, as ngjarja nuk është misterioze, dhe asnjë hall të tyre nuk zgjidh në finale ky debat, përveçse i jep shansin Edi Ramës të duket më i fuqishëm se sa është, qoftë dhe në lidhjet ndërkombëtare. Debati, i cili në fakt do kishte pak më shumë kuptim sikur të mos kërkohej nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të shënjuar si udhëheqës të një fronti anti-amerikan në Shqipëri, nuk ua zgjidh dot atyre hallin që kanë. Hallin që ata të dy kanë e kanë me Departamentin e Shtetit dhe politikën e lartë amerikane. Sekretari i Shtetit e ka dizajnuar Sali Berishën si minues të demokracisë, të përfshirë në korrupsion madhor familjarisht dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Të tre këto cilësi vazhdon t’i demonstrojë çdo ditë në rrugë.
Shpresa e Sali Berishës për t’i shpjeguar foltoristëve të vet, se SHBA e ka manipuluar McGonigali, përmes Edi Ramës, është shpresa e një të mbyturi që shpreson ta nxjerrë në breg kapja pas një fije kashte. Asnjë provë, asnjë shenjë, asnjë fakt dhe mbi të gjitha, asnjë akuzë e bërë për Sali Berishën nga Departamenti i Shtetit nuk kanë lidhje me McGonigal-in. “Minimi i demokracisë” është një proces politik i verifikueshëm publikisht dhe SHBA e ka verifikuar minimin e demokracisë prej Sali Berishës që nga arrestimi i Fatos Nanos, vjedhja e zgjedhjeve më 1996, shkatërrimi i shtetit më 1997, protestat anti-amerikane të vtiteve 1998- 2000, dhe më tej akoma me shantazhet mbi sistemin e drejtësisë në rastin Gërdeci dhe 21 Janari, përfshirjen e djalit të tij, vajzës së tij, dhe gruas së tij në korrupsion madhor, duke e drejtuar Shqipërinë si pronë private të një familje.
Këto janë fakte publike dhe jo dosje nga CIA apo FBI. Nga CIA apo FBI mund të ketë lidhje të tjera me Al Qaidën, Al Zaëarin, trafikun e armëve dhe gjëra të tjera të zeza që ai i di vetë. Ndaj McGonigali nuk e ndihmon dot Sali Berishën që t’i krijojë një alibi. As Ilir Metën nuk e ndihmon dot. Ai ka histori të hidhura me SHBA, deklarata bipolare, që flasin ose për një president të çmendur, ose për një president anti-amerikan, kur flet për vrasje të tij në Malin me Gropa nga SHBA, apo kur refuzon publikisht dizajninim e Sali Berishës si person “non grata”. McGonigal nuk e ndihmon dot. Madje ai ka tentuar ta ndihmojë përmes Agron Nezës, se e ka mik shtëpie, por ai nuk i ka premtuar gjë, se nuk e ndihmon dot. As tani me procesin e tij gjyqësor nuk e ndihmon dot. Nuk e ka zënë në gojë askund.
Ky mocion nuk ndihmon dot as Partinë Demokratike zyrtare lidhur me transaksionin prej 500 mijë dollarësh që është paguar tek një lobist i saj nga dy biznesmenë rus, në emër të saj. Fakti është bërë publik nga institucionet amerikane. Për aq sa McGonigal është investuar për ta hetuar, as ka ndryshuar pistën dhe as autorët. Mbetet ende në fuqi fakti që dy rusë kanë paguar 500 mijë dollarë në SHBA, në emër të PD, dhe po ashtu mbetet në fuqi shfajësimi i Lulzim Bashës, që kjo nuk është vepër e tij, por vepër e lobistit të tij. Raste të tilla i zgjidh drejtësia, nëse ka interes publik. Drejtësia jonë e pushoi çështjen. Ajo amerikane e ka në zhvillim e sipër, por nuk është problemi jonë. Basha, ashtu sikundër Rama, nuk mund të fajësohet pse një miku i tij në SHBA ka shkelur ligjin.
Ndaj i gjithë ky debat për të gjetur një alibi për dështimet opozitare përmes një historie filmash me një agjent të FBI, me dashnore të tij dhe tradhti familjare, janë standard i dëshpërimit të opozitës, por jo standardi i betejave parlamentare që ngrenë profilin e tyre. Mua personalisht në gjithë këtë histori më ka zbavitur dëshpërimi i të dashurës së tij ilegale, dhe vendimi i saj që të mos flasë më pa e paguar. Duket që dhe ajo ka mësuar një gjë nga McGonigal, që duhet të fitosh diçka kur bën një punë, pasi shërbimet bëhen me para. Dhe i kapi nja dy- tre honorare nga televizionet e Berishës ne Tiranë. Problemi është se kjo puna që po bën opozita, është shërbim pa lek për Edi Ramën, të cilit zoti i mbajt gojën nesër e të mos bëjë sikur ka në dorë FBI, CIA, Kongresin, Senatin, Departamentin e Shtetit, Shtëpinë e Bardhë dhe drejtësinë amerikane, dhe të gjithë punojnë 24 orë në 24 orë, se si të mos lënë Sali Berishën të vdesë rehat.