Ka qenë viti 1985, kur presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, kanë deklaruar se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe ajo nuk duhet të luftohet kurrë”.
Pas dekadave të Luftës së Ftohtë, ky qëndrim u ka hapur rrugë disa marrëveshjeve të rëndësishme për kontrollin e armëve dhe ka dërguar mesazh të qartë te publiku i të dyja vendeve, në lidhje me planet dhe qëllimet e dy qeverive.
Fraza e Reaganit dhe Gorbachevit ka jehuar me dekada… derisa kanë nisur çarjet e para në vitet 2000. Ato janë thelluar në vitin 2019 kur presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, i nënshkruar në vitin 1987, duke e akuzuar Rusinë për shkelje të njëpasnjëshme, edhe pse kjo e fundit i ka mohuar.
Trump është tërhequr edhe nga Marrëveshja Qiejt e Hapur, e vitit 1992, e cila ka pasur po ashtu qëllim kontrollin e armëve.
Por, pavarësisht kësaj, në janar të vitit 2022, udhëheqësit e SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë risjellë në vëmendje frazën e Reaganit dhe Gorbachevit se “lufta bërthamore nuk duhet të luftohet kurrë” dhe se është përgjegjësi e tyre t’i shmangin rreziqet. Liderët e pesë fuqive bërthamore kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët se “përdorimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja të mëdha.
“Armët bërthamore – për aq kohë sa vazhdojnë të ekzistojnë – duhet të shërbejnë për qëllime mbrojtëse, të pengojnë agresionin dhe të parandalojnë luftën”, kanë thënë ata.
Rreth një muaj më vonë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Dhe, që nga ajo kohë, ka bërë kërcënime të vazhdueshme bërthamore, si paralajmërim për vendet e tjera që të mos ndërhyjnë. Pak ditë më parë, ai ka pezulluar pjesëmarrjen e Rusisë në Traktatin START-i i Ri, që ka qenë marrëveshja e fundit e mbetur midis SHBA-së dhe Rusisë për kontrollin e armëve bërthamore. Për këtë veprim, Putin ka fajësuar SHBA-në.
“Marrëdhëniet tona janë përkeqësuar. Përgjegjësia për këtë është plotësisht e Shteteve të Bashkuara. Kanë qenë ato që kanë filluar t’i rishikojnë marrëveshjet e pas Luftës së Dytë Botërore, pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ato kanë filluar ta ndërtojnë botën në mënyrën amerikane – me vetëm një mjeshtër, me vetëm një Zot”, ka thënë Putin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se ky është “një gabim i madh”. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ky vendim i Putinit e bën botën “më të rrezikshme”.
“I bëj thirrje Rusisë që ta rishqyrtojë vendimin e saj për të pezulluar pjesëmarrjen në marrëveshjen START-i i Ri. Duhet të kujtojmë se kjo është një nga marrëveshjet e fundit të mëdha që kemi për kontrollin e armëve”, ka thënë Stoltenberg.
I nënshkruar në vitin 2010 nga presidentët e atëhershëm, Barack Obama dhe Dmitry Medvedev, Traktati START-i ri u ka mundësuar dy vendeve – SHBA-së dhe Rusisë – ta inspektojnë arsenalin bërthamor të njëra-tjetrës disa herë në vit. Dy vendet po ashtu kanë mbajtur komunikime të rregullta për një sërë pajisjesh dhe operacionesh ushtarake, për të shmangur keqkuptimet ose aksidentet. Rusia dhe SHBA-ja posedojnë 90 për qind të armëve bërthamore në botë – secila ka rreth 4.000 koka bërthamore.
Putin ka thënë se Traktati START-i i Ri është “absurd” në kohën kur NATO-ja po e ndihmon Ukrainën t’i luftojë forcat ruse.
Disa ekspertë thonë se Putin po përpiqet të bëjë pazar me SHBA-në, për të nxjerrë koncesione nga Ukraina. Jane Kinninmont, drejtoreshë e politikave në Rrjetin Evropian të Lidershipit, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:
“Ka shumë mundësi që Rusia shpreson se do ta rrisë presionin mbi Qeverinë amerikane për të gjetur një lloj kompromisi për Ukrainën. Pra, duket se Rusia po ia rikujton SHBA-së se ka aftësi të shkaktojë lloj-lloj problemesh përtej fushëbetejës”.
Kinninmont thotë se e vetmja fije shprese qëndron te fakti se Rusia nuk është tërhequr plotësisht nga traktati – ajo vetëm e ka pezulluar pjesëmarrjen në të. Por, për politikologun Ian Hurd, nga Universiteti Northwestern në SHBA, kjo nuk përbën ndonjë dallim të madh.
“Ka pak dallim në ligj, sepse ndryshe është ta pezullosh dhe ndryshe të tërhiqesh. Por, në praktikë, nuk mendoj se ka ndonjë dallim. Ka të njëjtin motiv prapa. Putin do të përdorë çdo mjet për t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në pozitë të pakëndshme, për shkak të mbështetjes për Ukrainën. Mendoj se Putini po bën gjithçka të mundur për të sulmuar Ukrainën dhe aleatët e saj”, thotë Hurd.
Putin është zotuar se do të bëjë investime të mëtejshme në forcat bërthamore ruse. “Do të vazhdojmë prodhimin masiv të sistemeve nga toka, ajri dhe deti”, ka thënë ai.
Kinninmont, nga Rrjeti Evropian i Lidershipit, thotë se frika për një garë armësh midis Rusisë dhe SHBA-së tani është reale, por edhe midis fuqive të tjera bërthamore, përfshirë Kinën.
“Ekziston një shqetësim i vërtetë për një garë të re armatimi në vitet e ardhshme. Ajo nuk do të jetë një efekt i menjëhershëm i vendimit [të fundit rus]. Rusia ndoshta do të dëshirojë të gjejë mënyra për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve me SHBA-në. Rusia, gjithashtu, nuk ka shuma të mëdha parash për të shpenzuar për armë të reja. Ajo është nën sanksione dhe është duke shpenzuar mjaft në luftën në Ukrainë”.
“Por, prej vitesh tashmë, marrëveshjet e kontrollit të armëve janë dobësuar. Dhe tash ka edhe një dimension të ri të shtuar, sepse Kina po ndërton programin e saj bërthamor. Ky është një faktor që do ta shqetësojë si Rusinë, ashtu edhe SHBA-në. Nëse ato s’kanë kufij mes tyre, kjo është një nxitje më e madhe për Kinën që të mendojë se gara me armë është rruga përpara”, thotë Kinninmont.
Don Jensen, drejtor i programit për Rusinë në Institutin amerikan për Paqe, pajtohet. Duke folur për Exposenë, ai thotë se Kina po e ndërton sistemin e saj të armëve bërthamore, pa asnjë kontroll.
“Kina nuk do që jetë në asnjë marrëveshje bërthamore. Nëse iu kërkoni ekspertëve kinezë të hyjnë në marrëveshje si START-i, ata do të thonë jo, nuk besojmë në gjëra të tilla. Pra, rreziku ekziston, pa marrë parasysh se çfarë ndodh me START-in. Kina do ta ndërtojë sistemin e saj ashtu siç dëshiron vetë, ajo nuk do rregulla”, thotë Jensen.
Jensen, ish-inspektor i armëve sovjetike, thotë se fraza e Reaganit dhe Gorbachevit se “lufta bërthamore nuk duhet të bëhet kurrë”, nuk vlen më.
“Ka njerëz në Kanalin Një në Moskë që bëjnë thirrje për përdorimin e armëve bërthamore. Shpesh i shikoj dhe nuk mund të besoj. Sepse, sa herë që flisni për to, ju i normalizoni, e rrisni pragun e rrezikut. Ato nuk duhet të normalizohen. Ato janë armë shumë, shumë shkatërruese. Për fat të keq, tash ka edhe sisteme jobërthamore që u afrohen sistemeve bërthamore me rendiment të ulët. Pra, kjo është një botë e rrezikshme në të cilën ndodhemi, dhe pezullimi i START-it nuk ndihmon”, thotë Jensen.
Kur Traktati START-i i Ri është rinovuar në vitin 2021, zëdhënësi i Pentagonit në atë kohë, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja nuk mund ta përballojë t’i humbasë inspektimet e arsenalit bërthamor të Rusisë.
Pas njoftimit të Putinit për pezullim, Jon Wolfsthal, i cili ka shërbyer si këshilltar i Obamës për kontrollin e armëve, ka thënë se “Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet për të monitoruar forcat bërthamore ruse, edhe pa ndonjë traktat në fuqi”.
“Por, humbja e marrëveshjeve rrit pasigurinë dhe shanset e keqkuptimit, fryn perceptimin e kërcënimit dhe nxit përshpejtimin e garës së armëve”, ka shkruar Wolfsthal në Twitter.
Putin, po ashtu, ka thënë se Rusia do të rifillojë testimin e armëve bërthamore, nëse SHBA-ja e bën të njëjtën gjë. Testimet e tilla janë ndaluar me një marrëveshje të vitit 1996.
Hurd, nga Universiteti Northwestern, thotë për Exposenë se paralajmërimi i Putinit mund të nënkuptojë se po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
“Rreziku i përdorimit të armëve të vogla bërthamore në këto beteja është mjaft i lartë, mendoj unë. Një sulm i tillë do ta vinte në pozicion shumë të pakëndshëm palën tjetër, e cila do të duhej të vendoste se si t’i përgjigjej një veprimi të tillë. Agresiviteti që kemi parë nga Qeveria e Putinit në vitet e fundit, ka qenë mjaft befasues për shumë vëzhgues, të cilët nuk kanë menduar se ai ka këto lloje të ambicieve të paturpshme territoriale. Ai është një udhëheqës shumë i paparashikueshëm dhe potencialisht i rrezikshëm”, thotë Hurd.
Prej se ka nisur pushtimin e Ukrainës, një vit më parë, Putin e ka kujtuar vazhdimisht Perëndimin se Rusia ka armë të shkatërrimit në masë dhe se ka shtrirë ombrellën e saj bërthamore në zonat e Ukrainës që Moska i ka pushtuar dhe i konsideron si territore të veta. Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të NATO-s kanë paralajmëruar Rusinë se përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore në Ukrainë, nuk do të kalojë pa përgjigje, por nuk kanë specifikuar më shumë./ REL