Qytetarët e Malit të Zi votojnë këtë të dielë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Presidenti aktual, Millo Gjukanoviç, është duke garuar kundër gjashtë rivalëve tjerë, përfshirë katër anëtarë të kampit pro-serb.
Por, në mesin e 7 kandidatëve për presidenti, është edhe një influencer. Bëhet fjalë për Jovan Radulović Jodžir, i njohur për publikun vendas dhe më gjerë.
Ai çdo ditë regjistron klipe ku me shaka për publikun, imiton situata të frymëzuara nga marrëdhëniet ndërpersonale, por edhe ngjarje të zakonshme që ndodhin në rrethin e tij familjar.
Jovan Radulović aktualisht ka 239 mijë ndjekës në Instagram, pothuajse 138 mijë ndjekës e ndjekin në Facebook, mbi 80 mijë në Tik Tok, ndërsa kanali i tij në YouTube i quajtur “Elektricisti i dehur” ndiqet nga mbi 30 mijë përdorues.
Ai ka deklaruar se ideja për të mbledhur firma për të kandiduar si president i vendit i lindi spontanisht.
Influenceri beson se shteti ka nevojë për një lloj freskimi dhe se ai mund ta bëjë këtë.
“Këta njerëz që duan të kandidojnë për mua janë shumë qesharakë. Kështu që thashë më lejoni të provoj. Është një lloj dashurie, si çdo gjë në jetë, ndodhi spontanisht. Është dashuri për vendin. Dua pak rifreskim të vendit, njerëzit janë të zymtë. Unë i bëj të qeshin përmes rrjeteve sociale, por dua t’i bëj të qeshin në mënyrën e duhur dhe ta çoj këtë vend në drejtimin e duhur dhe në mënyrën e duhur”, ka thënë Yodžir për kanalin YouTube të medias malazeze Dan.