Është shtyrë sërish gjyqi për çështjen e “Babales”. Deputeti Ervin Salianji, në një komunikim nga Gjykata e Apelit u shpreh se nga ana e gjyqtares është treguar anshmëri politike.
Ai theksoi se ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares relatore Edlira Petri, duke thënë se gjithashtu se elementet e dosjes do t’i ribëjë publike.
Sipas Salianjit, para drejtësisë duhet të jenë trafikantët, por deri më tani tha ai ka ndodhur e kundërta, pasi janë paraqitur denoncuesit e opozitës.
“Akt ekspertimi që është bërë në Britaninë e madhe përcakton qartë që zëri është zëvendësuar. Unë jam sot para gjykatës vetëm për shkak të denoncimeve që kam bërë ndaj qeverisë. Në vend që para drejtësisë të shkojnë trafikantë, jemi ne që denoncojmë në emër të opozitës. Nuk është se është shtyrë ndonjëherë për mungesë tonën. Sot bëra një kërkesë për përjashtim për të anshmërisë të treguar dukshëm nga ana e gjyqtares. Ka shprehur anshmëri politike”, tha ai, duke shtuar: “Nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen dhe jo të përshpejtonte. Nëse do kisha zgjedhur të isha avokat, do merresha me këtë punë. Kam zgjedhur të jem politikan, duke mbrojtur interesat e qytetarëve. Ai ishte i dënuar me 7 vite dhe jetonte i lirë në Shqipëri. Po a ka pandashmëri nga politika dhe drejtësia? Këtë detyrë kam. Nuk kam shqetësim nëse qëndron apo jo gjyqtarja. Kam zgjedhur të luftoj për interesat e publikut, sikur hyja në parcelat me kanabis dhe i denoncoja. Do vazhdoj betejën time për të mbrojtur ata që më kanë votuar. Kështu do jem për një kohë të gjatë.”