Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se do të kishte “pasoja” nëse Kina do të furnizonte me armë Rusinë për luftën e saj në Ukrainë, por ai ndihet mjaft optimist se Pekini do të përmbahet nga ndërmarrja e një veprimi të tillë.

Komentet zoti Scholz i bëri në një intervistë me kanalin CNN që u transmetua të dielën, dy ditë pasi ai u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në Uashington.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar kohët e fundit se Kina mund të dalë nga pozicioni i saj i deritanishëm dhe të fillojë dërgimin e armëve dhe municioneve drejt Moskës.

Përpara udhëtimit të tij, zoti Scholz i kishte kërkuar Pekinit të përmbahej nga dërgimi i armëve dhe në vend të kësaj të përdorte ndikimin për ta shtyrë Rusinë që të tërheqë trupat e saj nga Ukraina.

I pyetur nga CNN-i nëse ai mund të imagjinonte se cilat mund të ishin sanksionet ndaj Kinës nëse do të ndihmonte Rusinë, zoti Scholz u përgjigj: “Unë mendoj se do të kishte pasoja, por tani jemi në një fazë kur po e bëjmë të qartë se kjo nuk duhet të ndodhë dhe unë jam relativisht optimist se në këtë rast do të jemi të suksesshëm me kërkesën tonë, por do të duhet ta ndjekim atë dhe të jemi shumë, shumë të kujdesshëm”.
Ai nuk dha detaje mbi natyrën e pasojave. Gjermania ka ekonominë më të madhe në Evropë dhe Kina ka qenë partneri i saj më i madh tregtar në vitet e fundit.

I kthyer në Gjermani të dielën, zoti Scholz u pyet pasi takimit të kabinetit të tij qeveritar me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen nëse ai kishte marrë prova konkrete nga Shtetet e Bashkuara se Kina po shqyrtonte dërgimin e armëve dhe nëse ai do të mbështeste sanksionet kundër Kinës nëse ajo do të ndihmonte për armatosjen e Rusisë.

“Ne të gjithë jemi dakord që nuk duhet të ketë dërgesa armësh dhe qeveria kineze ka deklaruar se nuk do të furnizojë (me armë)” u përgjigj kancelari. “Kjo është ajo çfarë po kërkojmë dhe po e ndjekim situatën”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes rreth sanksioneve. Zonja Von der Leyen tha se “ne nuk kemi asnjë provë për këtë deri më tani, por duhet ta ndjekim çdo ditë me vëmendje” situatën. Ajo tha se pikëpyetja nëse Bashkimi Evropian do t’i vendoste sanksione Kinës “është një pyetje retorike së cilës mund t’i jepet përgjigje vetëm nëse do të bëhej realitet dhe fakt”./Voa