Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi të regjistrojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit. Pas një seance rreth 60 minutash, KAS vendosi të rrëzojë një vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili i kërkoi PD-së të sjellë një deklaratë të angazhimit solemn në zgjedhjet e 14 majit të firmosur nga kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj.
“Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solmen të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendimin e lexuar nga relatori i çështjet, Koli Bele.
Seanca
Përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa gjatë fjalës së tij tha se autorizimi i jep tagër përfaqësuesve për regjistrimin dhe se autorizimi është i vlefshëm për çdo datë zgjedhjesh.
“Në dy pika, pika e parë është që sipas interpretimit të komisionerit, pretendon se nuk është mjaftueshëm i qartë autorizimi sa i përket datës specifike të zgjedhjeve. Ngatërron dy llojet e autorizimeve, i posaçëm dhe i përgjithshëm. I posaçëm është për një veprim konkret, në këtë rast kemi të bëjmë me autorizim të përgjithshëm. I ka të gjitha tagrat. Kjo nuk duhet të kishte përbërë arsye për të refuzuar regjistrimin e PD-së. Autorizimi i pretenduar si jo mjaftueshëm qartë, i referohet zgjedhjeve vendore 2023 sipas datës që do caktonte presidenti i republikës. Ai autorizim vlen për çfarëdolloj date. Autorizimi i jep tagër të përfaqësuesve për të bërë të gjitha kërkesat për regjistrimin e PD pranë KQZ.
Pika dytë ka të bëjë me deklaratë solemne që komisioneri pretendon se është e domosdoshme, detyrës për të bërë regjistrimin. Në përmbajtje të deklaratës dhe formulimit që është miratuar për deklaratën solemne, përcaktohet fare qartë që lëshohet në emër të subjektit, është përgjegjësia që merr përsipër subjekti. Kryetari i firmos si pasojë e detyrës që ai ka si drejtues i partisë, partinë politike mund të përfaqësojë kryetari, mund t’ia lënë kompetencat sekretarit. Sipas interpretimit që bën komisioneri, duhet ta firmosë me patjetër kryetari. Komisioneri i bën një interpretim të gabuar dispozitës. E merr si angazhim personal të kryetarit të partisë. Kryetari i Partisë nuk e firmos si individ personal asnjë dokument”, tha Sefa.
Nga ana e tij përfaqësuesi i grupit të Berishës, Ledio Nuraj,tha se është anëtarësia ajo që vendos për një parti politike, duke shtuar se komisioneri bëri rolin e gjykatësit.
Një tjetër pyetje nga KAS ishte se në rast se Partia Demokratike do të regjistrohej cili do të ishte emri i vendosur si kryetar në fletën e votimit.
Indrit Sefa tha se do të ishte emri i Enkelejd Alibeajt, ndërsa Ledio Nuraj tha “Zëvendësoni emrin e Lulzim bashës me atë të Berishës. Dhe fleta e votimit të dilte automatikisht me kryetar dhe do të rregullohej i gjithë konflikti që ka ardhur para jush për t’u zgjidhur”.
Pas deklaratave të palëve dhe pyetje-përgjigjeve KAS u tërhoq për vendim, i cili do të jepet rreth orës 14:30, nëse PD do të regjistrohet apo jo në zgjedhjet e 14 majit. Kujtojmë se KQZ vendosi mosregjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.