Nga Mero Baze/
Komisioneri i Zgjedhjeve, hodhi poshtë për herë të dytë kërkesën e Partisë Demokratike për tu regjistruar në zgjedhje, për shkak të mos pranimit të dorëheqjes së Lulzim Bashës dhe regjistrimin me drejtuesit e rinj që janë në krye të PD prej një viti.
Vendimi ëhstë i bazuar qartazi tek vullneti politik i Komisionerit i shprehur dhe publikisht se legjitimiteti i PD i takon Sali Berishës. Pastaj vullnetin e tij ai e ka ilustruar me detaje procedurale nga zhvillimet brenda PD. Kjo është taksa që duhet të paguajmë gjithnjë për lobimet politike që zgjedhin Komisionerin e zgjedhjeve. Dhe Çelibashi në këtë pikë i është mirënjohës Sali Berishës.
Tani ky nuk është më një debat ligjor, por politik. Shtigjet ligjore ku do të gjarpëroj kjo çështje mund ta lënë Partinë Demokratike jashtë zgjedhjeve. Nga ana tjetër Sali Berisha i cili është i pashpresë të marr vulën e PD, po përgatitet duke mbledhur firma të hyj në koalicion me dy parti të veta. Pra përtej pretendimeve se është përfaqësues si PD Berisha nuk ka turp ta konsideroj teknikalitet faktin që nuk ka marrë vulën dhe po gjen zgjidhje për tu futur në zgjedhje.
Të njëjtën gjë duhet të bëj gati dhe Partia Demokratike. Unë uroj shumë që KAS apo Kolegji zgjedhor ta hedhin poshtë vendimmarrjen politike të Çelibashit, por kjo nuk mund të diktoj vullnetin politik të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike duhet të demonstroj që ka qëllim dhe objektiv të hyj në zgjedhje dhe të konkurrojë. Dhe ky qëllim duhet të predominoj mbi gjithë kulisat për ta lënë atë jashtë zgjedhjeve. Natyrisht që duhet ndëshkuar Çelibashi madje duhet kërkuar dhe shkarkimi i tij, por qëllimi i këtij procesi nuk është lufta me Çelibashin, por beteja për tu përfaqësuar në zgjedhje.
Vendosmëria e Lulzim Bashës për të mos e konsideruar veten kryetar i PD është legjitime, ashtu sic është legjitime kërkesa e Alibej që të konsiderohet kryetar i PD.Por kjo gjë nuk vlen si qëllim më vetvete. Nuk vlen për histori, nuk vlen për muzeun e PD. Ajo vlen vetëm nëse ata arrijnë të përfaqësojnë si të tillë PD në zgjedhje.
Nëse KQZ ua bën të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje, bazuar mbi këtë status të pretenduar të tyre, ata duhet të zgjedhin nëse duhet të ruajnë gradat e tyre formale për të vënë në muzeun e PD, apo të ruajnë përfaqësimin e PD në zgjedhje dhe të hyjnë në zgjedhje.
Truket teknike me të cilat duan ti lënë jashtë zgjedhjeve, eliminohen po me truke teknike, nëse ata kanë vullnet të marrin pjesë në zgjedhje. Mbi të gjitha ata duhet të mos i dorëzojnë “kokën në sini” Çelibashit për t’ia servirur Berishës si trofe. Pas 14 Majit, nuk vlen më asgjë, nëse nuk futen në betejë.