6 Mars, Tiranë- Znj. Sandra Gallina, Drejtore e Përgjithshme e Mbrojtjes së Shëndetit dhe Konsumatorit në Komisionin Europian, ka përshëndetur punimet e Kongresit të Shëndetësisë, i cili po mbahet për herë të parë në Shqipëri.
“Ky Kongres i Shëndetësisë vjen si i pari në llojin e tij, prandaj dhe është i veçantë. Për ju ky Kongres përbën një mundësi reflektimi mbi reformat transformuese përmes të cilave ka kaluar sistemi shëndetësor në Shqipëri si dhe për ndërtimin e një të ardhme edhe më të fortë e më të qëndrueshme njëkohësisht”,- theksoi znj.Gallina.
Drejtorja e  Mbrojtjes së Shëndetit dhe Konsumatorit në KE, nënvizoi se sektori i Shëndetësisë në Rajonin e Ballkanit mbetet prioritet absolut për Komisionin Europian.
“Rajoni i Ballkanit mbetet prioritet absolut për Komisionin Europian. Këtë e kemi treguar përmes një sërë veprimesh të rëndësishme që kanë sjellë përfitime të prekshme për rajonin sidomos në fushën e Shëndetit Publik. Nëse do të hidhja sytë nga e ardhmja, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në Programin e BE-së për Shëndetësinë, do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin tonë në fushën e shëndetit publik, kjo është tejet e rëndësishme”,- tha znj.Gallina.
Përfaqësuesja e Komisionit Europian ftoi të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e Programit të BE-së për Shëndetësinë.
“Programi i BE-së për shëndetësinë është deri më sot programi më ambicioz. Ai përfaqëson një nivel të jashtëzakonshëm investimesh duke reflektuar njëherësh besimin se investimi tek shëndeti ynë është një investim për të ardhmen. Ndaj dëshiroj të nxisë të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë edhe Shqipërinë të bëhen pjesë e tij”,- tha Znj.Gallina.

Znj.Gallina përmendi një sërë vështirësish me të cilat po përballen sot vendet europiane si: COVID19 që vijon të shkaktojë një numër të lartë vdekjesh dhe dëme të renda në sistemet shëndetësore. Kanceri dhe shendeti mendor, sëmundjet jo të transmetueshme, mbeten sfidat më të mëdha, për të cilat theksoi se kërkohet bashkëpunim me KE.