Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi e sheh si të paracaktuar garën për kryebashkiak të Tiranës, ku sipas tij, Erion Veliaj do e mundë Belind Këlliçin.

Në një intervistë për Euronews Albania, Koçi u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha e ka sakrifikuar Këlliçin duke e kandiduar, pasi e di që ky i fundit do humbasë.

“Kjo është një garë e paracaktuar në rezultat. Qëllimi ynë është që të marim një rezultat maksimal, sepse llogarisim gjithmonë zgjedhjet e ardhshme politike. Na duhet një rezultat maksimal. Këto zgjedhje janë të paracaktuara. Nga pikëpamja personale, unë mendoj që janë të pakrahasueshëm.

Unë mendoj që Berisha e ka sakrifikuar Belindin duke e kandiduar. Është një garë në të cilën ai do të dështojë. Mund të ishte më mirë duke qenë deputet, duke fituar përvojë edhe për sfida të tjera. Për mua e ka hedhur në rrugë”, theksoi ai.