Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi dha sot më shumë detaje rreth projektit të tij për ta ofruar falas transportin urban në qytet.

I ftuar në Syri TV, Këlliçi foli dhe për elementë të tjerë të platformës së tij.

“Transporti publik falas është i mundur. Kjo ka të bëjë me njerëzit, me 200 mijë qytetarët e Tiranës që janë më në nevojë. Transporti publik falas kushton 16.5 mln euro, kaq barrë është për Bashkinë, është vetëm 6.8 përqind e buxhetit”, u shpreh Këlliçi.

Kandidati i opozitës shtoi se me këtë ndërhyrje, Bashkia do të kursejë për një çift normal që merr transportin urban, të paktën 85 mijë lekë të vjetra në muaj.

Këlliçi deklaroi se paratë gjenden, nëse Bashkia nuk vjedh. Ai solli si shembull të keqmenaxhimit, një studim që është bërë ku del se nuk vilen 38 përqind e taksave, që sipas tij, kjo tregon favorizime dhe korrupsion.

Ai u shpreh se ai ka një plan revolucionar për transportin publik, që jo vetëm do të lehtësojë të gjithë qytetarët që përdorin autobusët, duke e ofruar falas, por edhe do të reduktojë qarkullimin dhe do të ulë ndotjen.

Këlliçi tha se kjo kushton vetëm 6.8 përqind të buxhetit të Bashkisë. Po ashtu, ai shtoi se do të investojë edhe 5 mln euro për modernizimin dhe shtimin e flotës, që do të sjellë pakësimin e vonesave.

Plani i Këlliçit parashikon edhe vendosjen e tabelave në stacionet e autobusëve që do të tregojnë oraret fikse të nisjes dhe mbërritjes së këtyre mjeteve, duke u kursyer kështu njerëzve kohën e pritjes.