Presidenti i Austrisë Alexander Van der Bellen ka zbuluar detaje rreth takimit me presidentin Bajram Begaj duke thënë se në fokus ishte reforma në drejtësi dhe bashkëpunimi ekonomik. Për këtë të fundit shprehet se 20 biznese ndodhen në Shqipëri për të prezantuar ekspertizën e tyre. Gjithashtu shprehu mbështetje për procesin e integrimit dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri dhe ju falënderoj president për këtë miqësi kaq të madhe shqiptare. Vizita ime sot është në kuadrin e një tradite të madhe të miqësisë Shqipëri-Austri. Diskutuam me Begajn se si mund të rrisim më shumë bashkëpunimin mes 2 vendeve. Agjencia austriake për zhvillim është prej 3 vitesh aktive në Shqipëri dhe që ka ndikuar në reformën në drejtësi.
2 ministrat e drejtësisë po nënshkruajnë deklaratë për forcimin e shtetit të së drejtës. Kemi bashkëpunim dhe në fushën e arsimit. Shkolla austriake në Shkodër gëzon reputacion shumë të mirë. Është një HTL me pikë të fortë informatikën dhe shkencat e komunikimit dhe s’është për tu habitur që është pranuar kjo gjë. Austria e mbështet edhe këtu Shqipërinë. Forcon ofertën me punonjës të kualifikuar që është temë në mbarë Europën. Për të intensifikuar më shumë marrëdhëniet jam i nderuar që do hapim forumin ekonomik.
Jam i lumtur që ftesës për të ardhur në Shqipëri i janë përgjigjur 20 biznese nga Austria që të prezantojnë ekspertizën e tyre në interes të përbashkët. Austria njihet si inkurajues i madh për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Begajn e përgëzova dhe për procesin screening me BE dhe shpresojmë që të hidhen sa më shpejt hapa të mëtejshëm. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, fokusi është te çështjet esenciale si shteti i së drejtës, drejtësia e pavarur dhe duam të inkurajojmë Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura.
Jemi shumë të lumtur që Shqipëria do të ketë kryesinë e Procesit të Berlinit këtë vit. Ne i urojmë palëve negociuese për një zgjidhje sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Van der Bellen.