Me një pankartë të përgatitur aty për aty, një ndjenjë të thellë keqardhjeje dhe indinjate Edmond Hoxha del nga shtëpia për të protestuar. I vetëm, në një përpjekje donkishoteske për të tërhequr vëmendjen e shoqërisë ndaj dhunës dhe vrasjes së femrës.

Nuk është rasti i parë që Edmondi proteston i vetëm. Por edhe sot si çdo herë tjetër kalimtarët nuk e shohin ose bëjnë sikur se shohin. Megjithatë 46 vjeçari nuk tërhiqet. Ai qëndron në mes të rrethrrotullimit kryesor të Fierit për të çuar deri në fund misionin që i ka vënë vetes.

Protesta dhe mesazhi në njërën anë dhe në tjetrën vullnetari që dhuron gjak. Pavarësisht se jeton në një vend ku shoqëria hesht përballë padrejtësive dhe dhunës, Edmondi nuk preferon të largohet nga vendi i tij. Me të njëjtin guxim që e bën të dalë në protestë i vetëm, qëndron edhe përpara alternativës për t’u larguar në emigracion.

Për 46 vjeçarin nga Mbrostari i Fierit, bota është e mirë ose e ligë dhe vetëm besimi te krijuesi i bën njerëzit të mëshirshëm. Kjo ishte një ditë ku Edmond Hoxha kreu një detyrë qytetarie. Megjithëse i vetëm, ai përcolli një mesazh nëpërmjet dhe me solidaritetin e medias.

Një burrë i guximshëm është ai që nuk e përdor epërsinë fizike për të dhunuar apo lënduar gruan.