Pse luga zhytet në krem para se të mund të mendonit të kënaqeni me një fetë tortë? Ka një arsye pse dëshirat për ushqime të ëmbla ose me shumë yndyrë shpesh duken “më të forta se ne”, shkruan focus.it.
Në planin afatgjatë, këto ushqime ndryshojnë trurin, duke e shtyrë atë t’i kërkojë gjithnjë e më shpesh, t’i vendosë në karrocën e supermarketit dhe t’i preferojë ato ndaj gjërave të tjera për të ngrënë.
Shkencëtarët në Institutin Max Planck për Kërkimin e Metabolizmit në Këln, Gjermani, duke punuar në bashkëpunim me Universitetin Yale, kanë pyetur veten nëse tërheqja ndaj ushqimeve të pashëndetshme dhe të majme është e lindur apo është pasojë e mbipeshës.
Ata kanë zbuluar se kjo shtysë e parezistueshme mund të mësohet dhe se trurit tonë i duhet relativisht pak për të mësuar të preferojë ushqime shumë të yndyrshme ose me shumë sheqer.
Siç shpjegohet në studimin e publikuar në Cell Metabolism, studiuesit i ofruan një grupi vullnetarësh një puding të vogël me shumë sheqer dhe yndyrë, përveç dietës së tyre normale, çdo ditë për tetë javë.
Pjesëmarrësit e tjerë morën një puding me të njëjtat kalori, por më pak yndyrë. Aktiviteti i trurit i të gjithë subjekteve u monitorua gjatë gjithë eksperimentit.
Pas tetë javësh, reagimi i trurit ndaj ushqimeve të pasura me sheqer dhe yndyrë u rrit ndjeshëm në grupin që hante më pak puding të shëndetshëm.
Në veçanti, këto ushqime aktivizuan në mënyrë më të dukshme sistemin dopaminergjik, kompleksin e rrugëve nervore në tru përgjegjës për perceptimin e shpërblimit dhe motivimit.