Rreth 600 milionë fuçi naftë pritet të nxirren brenda territorit shtetëror gjatë dekadave të ardhshme, sipas një deklarate nga Departamenti i Brendshëm në Uashington. Kostoja e projektit vlerësohet në rreth tetë miliardë dollarë. Sipas Conoco Phillips, projekti do të krijojë 2500 vende pune gjatë fazës së ndërtimit dhe 300 në plan afatgjatë. Kompania pret një prodhim prej 180.000 fuçi nafte në ditë.
Projekti pritet të sjellë miliarda dollarë për shtetin dhe rajonin nëpërmjet taksave dhe tarifave të licencës, prandaj gëzon mbështetje edhe nga rajoni. Presidenti amerikan Biden kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se nuk do të autorizonte asnjë shpim të ri në tokën shtetërore.
Planet fillestare janë zvogëluar
Fushat e naftës gjenden në shpatin verior, pjesa veriore e Alaskës, e cila është shumë pak e populluar dhe kryesisht e paprekur. Planet e Conoco Phillips fillimisht ishin më të mëdha dhe përfshinin rrugë, disa ura dhe tubacione dhe më shumë fusha nafte. Ish-administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump e kishte miratuar tashmë projektin, por një gjykatë kritikoi ndikimin mjedisor dhe e ndaloi projektin në vitin 2021.
Në autorizimin e ri, planet e grupit të naftës janë zbutur disi. Departamenti i Brendshëm i SHBA shpjegoi se bëhej fjalë për kufizimin e cënimeve të ambjentit, veçanërisht për habitatet e arinjve polarë dhe zogjve të ujit. Për më tepër, administrata Biden tha të dielën e kaluar se do të ndalonte ose kufizonte zhvillimin e naftës në zona të tjera të Alaskës. Si rezultat, shfrytëzimi i naftës do të përjashtohet në detin Beaufort dhe do të kufizohet në zona të mëdha të kontinentit.
Priten ankesa nga ambientalistët
Nga ana tjetër, grupet mjedisore flasin për dëmet mjedisore dhe klimatike të shkaktuara nga shpimet e naftës. Mbrojtësit e mjedisit e kritikuan vendimin. Autorizimi i Biden-it është në kundërshtim me premtimet e tij për të mos lejuar shpime të reja nafte në tokat shtetërore, kujtojnë ata tani. Organizatat mjedisore pritet të apelojnë vendimin.
Drejtoresha e organizatës për mbrojtjen e mjedisit, Këshilli i Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, Christy Goldfuss, tha se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga njoftimi i Biden-it. “Ky vendim është i keq për klimën, i keq për mjedisin dhe i keq për vendasit e Alaskës që kundërshtojnë projektin, por nuk janë dëgjuar,” tha ajo./DW