Mbi 3700 pacientë në vit përfitojnë falas ndërhyrjen e kataraktës dhe lentet në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) dhe në spitale rajonale, me financim 100 % nga shteti. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se vetëm për dy muajt e parë të vitit 2023, e kanë përfituar këtë shërbim më shumë se 500 pacientë.
“Mbi 3700 pacientë në vit përfitojnë falas ndërhyrjen e kataraktës dhe lentet, në QSUT dhe në spitale rajonale, me financim 100 % nga shteti. Vetëm për dy muajt e parë të vitit 2023, më shumë se 500 gjysheve dhe gjyshërve iu është rikthyer drita e syve, falë profesionalizmit të ekipit të mjekëve okulistë në QSUT, ku kryhet ndërhyrja e kataraktës dhe lentet falas”, u shpreh Rama. Ndërkohë, kirurgia oftalmologe pranë QSUT-së, Eralda Leci bëri të ditur se operacioni i kataraktës, ose i perdes siç njihet gjerësisht, është ndër më të shpeshtit.
“Zakonisht ndeshet në moshat e treta. Është një operacion që kryhet përmes ultratingujve. Përfitimi i pacientëve është i dukshëm që në ditët a para pas operacionit duke iu rikthyer shikimi në të njëjtin nivel që ka pasur para shfaqjes së perdes”, tha ajo.
Ajo u kërkoi qytetarëve që në momentin që ndjejnë ulje të shikimit të vizitohen dhe më pas referohen në qendrën spitalore për ndërhyrje.