Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 25-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau një fotografi të familjes Jashari.
“Legjendarët. 25-vjetori i Epopesë së UÇK”, shkruan Rama.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, në Kosovë u sulmuan nga forcat serbe shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën duke i hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5, 6 e 7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.
Historia e familjes Jashari dhe eksponentët e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.