Kastriot Çipi, teksa komentoi protestat e Berishës para Kryeministrisë, tha në emisionin “Arnautistan” se ky është një film i parë në kohën kur partia drejtohej nga Basha.

Sipas tij në Shqipëri nuk është kaluar kurrë në mosbindje civile. Çipi tha se “revolucioni s’është të mbash një koncert dhe të plasin adoleshentët ca kapsolla”.

“Jam dakord që nëse thua me Ramën nuk fitohet hiq dorë nga partia. Sepse njerëzit presin që të bësh rotacionin e pushtetit.

Se si do ta fitojnë këta unë nuk e di, sepse po shoh një film të parë. Këtë që po shohim me Berishën e kemi parë gati 9 vjet me Bashën, Republikë e Re, nga nesër nis lufta, Edi Rama s’do gjej vrimë të miut…!

Me protestë të madhe rrëzohet, por a je i përgatitur ta bësh. Deri te protesta e madhe vihet me mosbindje civile, që PD s’e ka bërë kurrë. Fillon nga grevat.

Në Shqipëri s’ka më greva, as në sektorin publik, as privat. Nëse je i bindur që këtu kemi një regjim, nëse s’ke më besim te organet e drejtësisë, s’ke më mjetet demokratike, kjo mbetet.

Një fjalë të vetme s’ia thonë Ramës, diktator. Sepse nëse i thua diktator do bësh revolucion demokratik.

Jam kundër dhunës, por pro revolucionit. Revolucion s’është të mbash një koncert dhe të plasin adoleshentët ca kapsolla, të mbash katër fjalime dhe të iki në shtëpi.

Berisha dhe Meta padyshim kanë bagazhe mbi shpinë dhe disa njerëz i bënë të pamotivuar. Por ajo që unë nuk shoh te Berisha dhe Meta është dëshira për revolucion.

Revolucion është të ndryshosh sistemin, jo thjesht qeverinë. Këta s’po premtojnë një vizion të ri për shtetin. Pse nuk thotë opozita që do zhbëjë reformën në drejtësi, dhe ta japë me formulë si do ta bëjë.

Berishës i thashë që nëse pranojmë që Rama është diktator, atëherë nuk kemi Kushtetutë. Atëherë hajde të hapim debatin për Kushtetutën e re”, tha ai.