Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko e sheh si të pamundur bashkimin e kësaj force politike, pasi palët i ndan Sali Berisha.

Në një intervistë për ABC News, Bejko u shpreh se kandidatët e Primareve duan bashkimin, por diçka të tillë nuk e do Berisha. Bejko shton se Partia Demokratike duhet të çlirohet nga Berisha.

“Zoti Berisha e refuzoi me arrogancë. Kam përshtypjen që ndryshe nga vullneti që kanë kandidatët në terren, kanë qenë të interesuar që ne të bashkëpunonim. Dëshira e madhe e të gjithë palëve është të bashkohemi, por natyrisht bashkimi është i pamundur, se ne na ndan berishizmi me pjesën tjetër që ka mbështetur Berishën.

Ajo është e dukshme, Berisha ka mbajtur qëndrim publik, ka refuzuar dhe jo vetëm ka refuzuar, por ka kërcënuar kandidatët pas ftesës së Alibeajt, ose me mua, ose me ata. I ka kërcënuar me zëvendësim.

Mendoj se ata nuk janë të lirë. Mendoj që janë të shtrënguar, të detyruar nga zoti Berisha, njëkohësisht janë të agresuar. Kam përshtypjen që ndoshta u mungon kurajo ose mendojnë se koha do t’i zgjidhë çështjet. Uroj që të gjithë të çlirohen prej Berishës dhe në të ardhmen partia të bashkohet.”, theksoi ai.