Rusia do të mobilizojë forca të tjera ushtarake për pushtimin e Ukrainës. Mediat ruse shkruajnë se nga data 1 prill pritet të nis rekrutimi i rreth 400 mijë ushtarëve të tjerë. Nëse një vendim i tillë do të ndërmerret nga Ministrja e Mbrojtjes ruse, ky mobilizim do të shënojë një fazë të re të luftës dhe konflikti i Ukrainës do të zgjasë shumë më tepër se parashikimet.
Aktualisht Rusia ka mobilizuar në Ukrainë shumicën e burimeve të saj në personel dhe armatime. Zyrtarisht Rusia ka një armatë prej 1.3 milionë ushtarësh, 800 mijë prej të cilëve janë aktivë.
Që nga muaji shkurt i vitit të kaluar dhe deri më sot, mendohet se më shumë se gjysma e ushtarëve aktivë të Rusisë janë angazhuar në frontin e Ukrainës dhe në Prapavijë. Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë në një raport konfidencial të pak ditëve më parë deklaronte se Rusia ka vendosur në frontin e Ukrainës rreth 97 % të kapaciteteve të ushtrisë së saj.
Shifrat mbeten ende të paqarta, për shkak se në këtë luftë, Rusia ka angazhuar dhe mercenarët e grupit Vagner. Ky grup është shpallur nga disa shtete si organizatë terroriste, për shkak të krimeve që ka kryer në Siri dhe Afrikë. Vagner përbëhet nga mercenarë të kombësive të ndryshme që rekrutohen nga shërbimet e Kremlinit për të kryer operacionet e pista të luftës.
Rekrutimet e reja që paralajmërojnë mediat ruse do të jenë mercenarë me pagesë. Ky është rekrudimi i dytë i ushtrisë ruse pas atij të qershorit të vitit 2022. Një vit më parë, Kremlini deklaroi rekrutimin e 150 mijë ushtarëve të rinj. Ekspertët ushtarkë i kanë vlerësuar shifrat si të fryra, për shkak se rekrutimet nuk janë realizuar sipas planit.
Deri në këtë fazë të luftës, ekspertë ushtarakë raportojnë se Rusia ka pësuar humbje të mëdha. Të dhënat jo zyrtare flasin për 40 deri në 60 mijë ushtarë rusë të vrarë. Numri i të plagosurve raportohet për rreth 200 mijë dhe humbjet në armatime të rëndë cilësohen si të konsiderueshme.
Ministria e Mbrojtjes Ruse nuk ka pranuar asnjëherë raportet për humbje të mëdha, por në buletinin mujor për luftën flet për vetëm rreth 6 mijë ushtarë të rënë në fushën e betejës.